Rrëshqitjet e dheut lënë të paktën 16 të vdekur në jug të Ekuadorit (fotot)

27/03/2023 19:01

Të paktën 16 njerëz kanë humbur jetën dje nga rrëshqitjet e dheut në jug të Ekuadorit, pas reshjeve të vazhdueshme të shiut javët e fundit.

Tragjedia e mbrëmjes së të dielës mbuloi me dhjetra shtëpi nga dheu duke prekur më shumë se  500 persona, njoftonin autoritetet e emergjencës.

Presidenti i vendit Guillermo Lasso tha se zjarrfikës nga rajonet fqinje ishin dislokuar drejt fshatit të prekur më rëndë Alausi, rreth 300 kilometra në jug të kryeqytetit.

Në pamje e shpërndara në media shiheshin dhjetra punonjës dhe civilë që gërmonin dheun në kërkim të të mbijetuarve, në rajonin malor.

Zyrtarët thonë se sezoni shirave në Ekuador ka shkaktuar deri tani vdekjen e 22 njerëzve, ka shkatërruar 72 shtëpi dhe ka dëmtuar disa mijëra.

Qeveria tha se ka mobilizuar policinë dhe forcat e armatosura për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit.

“Kemi aktivizuar akomodime të përkohshme për ata që kanë humbur shtëpitë”, thuhej në një deklaratë të qeverisë”.

Rrëshkitja e djeshme e dheut vjen vetëm një javë pasi një tërmet i fortë vrau 15 njerëz në një rajon perëndimor te Ekuadorit, pranë kufirit me Perunë.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA