Roland Bejko reagon për sulmin terrorist ndaj Top Channel, ngushëllon familjen e rojes që humbi jetën

27/03/2023 11:47

Kandidati i PD-së për kryetar Bashkie në Tiranë Roland Bejko ka reaguar për sulmin terrorist ndaj Top Channel në orët e para të mëngjesit, kur për shkak të shtënave me armë ka humbur jetën Pal Kola 60 vjeç i cili punonte si roje sigurie.

Ai i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe shpreson qe agresorët të zbulohen sa më shpejt sepse media dhe qytetarët shqiptarë meritojnë të jenë të lirë.

“Ngushëllimet më të thella familjes dhe të afërmve të rojes së sigurisë që humbi jetën mbrëmë i vrarë pabesisht nga dora e krimit në oborrin e Top Channel!

Asnjë motiv nuk mund ta justifikojë aktin barbar ndaj një media dhe ndaj qytetarëve të pafajshëm që mbeten viktima të këtij tërbimi të pazakontë të krimit.

Disa ditë më parë një tjetër qytetare humbi jetën në një lokal në rrugën Don Bosko ku punonte për të siguruar jetën e vet me djersën e ballit.

Tirana ashtu si gjithë Shqipëria i ngjan një thertoreje, ku numri i jetëve të humbura për shkak të vrasjeve apo aksidenteve është i ngjashëm me vendet në luftë.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur politikat qeveritare e mbështesin zhvillimin e Tiranës dhe qyteteve të tjera mbi ekonominë kriminale. Aleanca e krimit me politikën dhe politiklanit duhet të marrë fund.

Këtë e kanë në dorë qytetarët dhe drejtësia.

Shpresojmë që agresorët të zbulohen sa më shpejt dhe drejtësia të bëjë punën e vet.

Media dhe qytetarët shqiptarë meritojnë të jenë të lirë, të pa kapur, të pa kërcënuar në ekzistencën e tyre”.

Top Channel