Top Channel është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës nga persona ende të paidentifikuar.
Roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.
Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve.
Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.
Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.
Top Channel