Punonjësit e transportit publik dalin në grevë në qytetin gjerman të Frankfurt (fotot)

27/03/2023 18:38

Punonjësit e sektorit të transportit publik protestuan sot në stacionin hekurudhor të Frankfurt duke iu bashkuar grevës së përgjithshme kombëtare kundër rritjes së çmimeve dhe inflacionit.

“Ne kemi ndaluar punën duke kërkuar të paktën €500 rritje të rrogës,” tha Filipp Schumann përfaqësuesi i  sindikatës vendase Verdi, duke shtuar se “ashtu si vitin e kaluar inflacioni mbetet i lartë, dhe kolegët kanë nevojë për para për të përballuar shpenzimet”.

Ndërkohë greva totale e punonjësve të transportit në fluturime, hekurudha dhe transporti qytetar ka bllokuar sot Gjermaninë.

Punonjësit e transporteve në ekonominë më të madhe të BE, të drejtuar nga sindikatat Verdi e EVG, ndaluan punën për 24-orë në protestë ndaj inflacionit të rëndë.

“Të gjithë punonjësit e kanë kuptuar këtë sinjal të qartë dhe më në fund do të prezantojnë oferta të negocjueshme,” tha kryetarja e sindikatës EVG, Cosima Ingenschay.

Stacioni kryesor hekurudhor i Berlinit ishte çuditërisht i heshtur sot pas anulimit të udhëtimeve rajonale dhe të distancave të gjata.

Ndërsa tabelat në aeroportin më të madh në vend në Frankfurt, tregonin vetëm radhë fluturimesh të anulluara.

Freddie Schwarze, grevist në aeroportin e Munich tha: “Jemi gati për më shumë greva, tani që e nisëm nuk do të ndalojmë”.

FOTO GALERI
1/5
Punonjësit e sektorit të transportit publik protestuan sot në stacionin hekurudhor të Frankfurt duke iu bashkuar grevës së përgjithshme kombëtare

Top Channel