Ministrja gjermane për Zhvillim, Svenja Schulze, ka thënë se duhet të nisin përgatitjet për rindërtim të Ukrainës dhe riparim të dëmeve të luftës.
Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media me ambasadorin ukrainas, Oleksii Makeiev.
“Secili që beson në një të ardhme më të mirë, që punon në këtë drejtim, do t’i përjetojë më lehtë këto kohë të vështira”, ka thënë Schulze teksa e ka prezantuar një platformë në internet me qëllim të ofrimit të ndihmës për organizatat për ndihmë, sektorin privat dhe iniciativa tjera. Nga përvojat e rindërtimit në gjithë botën, ne e dimë që përgatitja e mirëfilltë është jashtëzakonisht e rëndësishme, ashtu që ndihma emergjente të përshtatet me nevojat afatgjate të rindërtimit”, ka thënë Schulze.
Krijimi i një faqeje të përbashkët në internet synon të jetë pikë kontakti për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në rindërtim.
“Dëmi i shkaktuar nga pushtimi rus është i madh dhe aktualisht arrin në 135 miliardë dollarë”, ka thënë Makeiev. Sipas tij, Ukrainës do t’i duhen më shumë se 400 miliardë dollarë, ka shtuar ai.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Makeiev ka thënë se Ukraina do të garantojë shfrytëzim të mirë të fondeve dhe do ta luftojë korrupsionin.
Schulze ka thënë se puna e autoriteteve ukrainase për luftim të korrupsionit është e vërejtshme./ REL
Top Channel