Top Channel orët e para të së hënës ka qenë cak i një sulmi me armë zjarri, ku për pasojë mbeti i vrarë roja i sigurisë, Pal Kola.

Sulmin ndaj Top Channel e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke kërkuar që me urgjencë të zbardhet rasti.

“Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës solidarizohet me kolegët e Top Channel dhe me familjarët e të ndjerit dhe i bëjmë thirrjeve autoriteteve shqiptare që me urgjencë absolute ta trajtojnë rastin”, tha  kryetari, Xhemajl Rexha.

Agresionin ndaj medias kombëtare në Shqipëri e kanë dënuar edhe nga Qendra Evropiane për lirinë e medias dhe shtypit. Duke shprehur ngushëllime për familjen Kola dhe solidaritet për median, kërkohen hetime të pavarura që të shkohet deri te dënimi i kryesve të veprës.

“Kërkojmë nga autoritetet përgjegjëse: policia; prokuroria por edhe gjykata që të zhvillojnë hetime të pavarura, të shpejta dhe profesionale dhe që kriminelët të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimet më të ashpra të mundshme që lejon legjislacioni vendor”, tha Flutura Kusari, këshilltare ligjore e ECPMF.

ECPMF ka regjistruar vrasjen në dy platformat për sigurinë e gazetarëve dhe do të vazhdojë monitorimin deri në zbardhjen e saj.

Akti shihet si cenim i lirisë së shprehjes dhe kërkohet nga autoritetet që të sjellin para drejtësisë personat që kryen aktin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA