Kontaminohet uji i pijshëm në Filadelfia pas rrjedhjes nga impjanti kimik në SHBA (fotot)

27/03/2023 16:58

Zyrtarët në qytetin e Filadelfia thanë sot se po monitorojnë sigurinë e ujit të pijshëm pas një rrjedhjeje kimike në lumin e zonës.

Një tub i çarë papritur në fundjavë në impjantin kimik Trinseo PLC, rrodhi materiale të rrezikshme helmuese në degën lokale të lumit Delaware, që është burimi ujit të pijshëm për miliona njerëz.

Zyrtarët i kanë kërkuar qytetarëve të ziejnë ujin e rubinetit ose të blejnë ujë në shishe, çka ka sjellë zbrazje të rafteve në supermarkete.

Autoritetet thanë më pas se “nuk ka rrezik të dukshëm” në sistemin qytetar të shpërndarjes.

“Kemi ujë të mjaftueshëm për furnizimin e qytetarëve deri për të martën,” tha dje Mike Carroll, drejtori vendas i transportit e infrastrukturës. “Rreziku i kontaminimit mund të reduktohet me kalimin e kohës”, shtoi ai.

Baseni i lumit të Delaware furnizon me ujë rreth 15 milionë njerëz në 4 shtete të SHBA, sipas të dhënave qeveritare.

Kontaminimi kimik në Pennsylvania u bë nga impjanti Trinseo PLC që lëshoi rreth 20 000 litra solucion me bazë gome në lumin Otter Creek në verilindje të Filadelfia.

Kompania që prodhon plastika e llastiqe, tha se arsyeja “duket se është një avari në pajisjet”.

Zyrtarët dhanë dje fillimisht alarmin për ndotjen toksike, teksa shtonin më vonë se kontaminimi do të kalonte me rrjedhën e lumit.

FOTO GALERI
1/3
Një tub i çarë papritur në fundjavë në impjantin kimik Trinseo PLC, rrodhi materiale të rrezikshme helmuese në degën lokale të lumit Delaware

Top Channel