Jeta në rrugën me diversitetin ‘më ekstrem’ në Britani, ku fliten 70 gjuhë nga të gjithë kontinentet e botës (fotot)

27/03/2023 21:47

Një reportazh i mediave vendase sjell një nga rrugët “me diversitetin më të madh në Britani” ku rezidentët flasin rreth 70 gjuhë të ndryshme, nga dhjetra grupe etnike.

Rruga ‘Barton Street’, në qytezën e Gloucester në perëndim të Londrës, strehon qytetarë me etni nga më të larmishmet që prej Indisë, Nigerisë, Irakut, Azisë e Kinës, edhe më parë njihej si “lagjia hebreje” e qytetit.

Me vërshimin e të ardhurve muslimanë e evropiano-lindorë gjatë dekadave, zona dikur e qetë tashmë dominohet nga minarja e xhamisë Jana dhe dyqanet e ushqimeve karakteristike të etnive e komuniteteve të ndryshme që jetojnë aty.

Disa metra më poshtë, një kishë Metodiste qëndron pranë një parukerie të afro-Karaibeve dhe dyqaneve të tjera që zëvendësojnë baret e mëparshme angleze.

47 vjeçari Kumar Subramanian, nga Sri Lanka, drejton dyqanin ushqimor Barton Best Foods bashke me kolegun Farisa Salih, 38 vjeç, nga Sudani.

Ata thonë se dyqani i tyre shet pak nga gjithçka për të kënaqur të gjithë.

Farisa Salih, 38 vjeç, nga Sudani

Tufa barishtesh të freskëta mbushin shportat pranë qeseve të orizit dhe kavanozëve të reçelit, apo drithërave amerikane e afrikano-veriore.

Kumar thotë se ka ardhur 10 vjet më parë nga Sri Lanka para se të vendosej në Gloucester ku menaxhon dyqanin që tashmë zotërohet nga vëllai i tij.

Kumar, i cili flet gjuhën Sinhala dhe anglisht, thotë: “Ka njerëz nga të gjitha qytetet që kanë hapur dyqane, të gjithë klientët i kam miq”.

Kumar shton: “Po, ka njerëz nga të gjitha vendet. India, Pakistani, Azia, vendet arabe, Sri Lanka, nga ku vij dhe unë”.

“Shesim nga pak gjëra për t’iu përshtatur të gjithëve. Gjëra afrikane, indiane, pakistaneze, nga Bengali”.

Yousuf Hamsrod, 47 vjeç, i cili flet Hindu, anglisht e frëngjisht, nga India, ka një rrobaqepësi që kur u vendos në Gloucester në 2011.

Rrobaqepesi Yousuf Hamsrod, 47 vjec

Ai ka bërë shkollë rrobaqepësie në vendin e tij para se të vendosej në Paris në 1991 ku u martua dhe lindi fëmijët.

Yousuf thotë: “Ka kohë që kur nuk kam jetuar në Indi. Fëmijët dhe gruaja ime jetojnë këtu prej kohësh, këtu është dhe shtëpia ime tani”.

Cosmos Ofoejlu, 47 vjeç, ka hapur dyqanin e tij të ushqimit afrikan ‘Favour’ në qershor 2021, kur u vendos në Gloucester nga Londra në 2016, pasi kishte jetuar aty për 12 vjet.

Me origjinë nga Nigeria, ai thotë se i pëlqen të këmbejë receta me klientët që pëlqejnë të mesojnë për ushqimin e Afrikës perëndimore.

“Gloucester është i mirë sepse është i ngjashëm me Londrën, ka gjithmonë njerëz të rinj që vijnë me prejardhje të ndryshme. Klientët e mi janë nga kultura të ndryshme, ka spanjollë, anglezë, latinë, afrikanë, kinezë, janë shumë”.

Babai i dy fëmijëve Sam, 36 vjeç kurd nga Iraku, drejton mini-marketin e Lindjes së Mesme Al-Furat, ku shet produkte nga Siria, Irani, Iraku e Afganistani.

Fruta të thata të veshura me salcë sumak, pite tradicionale dhe kavanozë me shurup shege, mbushin raftet e tij.

Sam erdhi në Gloucester në 2003 ku më pas lindën djali i tij Adam, dhe bija Sabina.

Sam thotë: “Kam ardhur në Angli kur isha 16 vjeç, asokohe isha vetëm dhe nuk flisja anglisht. Tani anglishtja është gjuha ime e tretë pas asaj kurde dhe arabe. Jam nga Kurdistani në veri të Irakut“.

Sam thotë se hapi dyqanin e tij në 2020 dhe e titulloi sipas lumit Eufrat, i njohur gjithashtu si lumi Al-Furat, i cili rrjedh mes Turqisë, Sirisë, Kurdistanit, Irakut e Gjirit Persik.

Kur flet me klientët Sam thotë se flet ose anglisht ose arabisht, por mban mend dhe disa fraza nga gjuhë të tjera që sipas tij “ndihmojnë me komunikimin”.

Ai tregon: “Një nga miqtë e mi me të cilin po punoj tani nisi të qeshte sepse edhe ai flet çekisht, persisht dhe gjuhën afgane. Kemi një zonjë nga India që po trajnojmë, ajo flet tre apo katër gjuhë, pak arabisht, pak anglisht, greqisht e persisht. Në të ardhmen do të bëhemi më mirë se fjalorët, është një çështje shumëgjuhëshe këtu”./DailyMail/

FOTO GALERI
6/7
Nje nga baret e pakta angleze te mbetura ne Barton Street

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA