Aleanca e NATO-s përbëhet nga 30 vende anëtare. Secili vend ka sistemet e veta teknike të veprimit në fushën e betejës. Jo të gjitha komunikojnë mirë me njëra tjetrën.
Në një bazë të ushtrisë amerikane në Poznan të Polonisë, në lindje të Evropës, ushtarët po punojnë për të integruar sistemet e NATO-s në një sistem të vetëm.
Brenda këtyre kabinave pranë bazës “Kosciuszko” në Poloni, ushtarët amerikanë po punojnë për integrimin e plotë të sistemeve të komunikimit në frontin lindor të NATO-s.
“Imazhet që mirren nga një radar amerikan përcillen tek qendra polake e drejtimit të zjarrit. Kjo qendër dërgon mesazhin ose misionin në një platformë rumune të qitjes, e cila më pas e ekzekuton atë”, shpjegon koloneli i ushtrisë amerikane John Hosey.
Ky është laboratori i ri i ndërlidhjes i Ushtrisë amerikane, i njohur si I-Lab. Laboratori u mundëson aleatëve të NATO-s të shfrytëzojnë teknologjinë e ushtrisë amerikane, të përmirësuar dhe përshtatur me sistemet e tyre të komunikimit.
“Kjo mund të vendoset në një automjet si sistem komande dhe kontrolli, ku mund të shihni pamjen reale të forcave tona. Imagjinojeni atë si një kombinim të aplikacioneve të hartave Google Maps dhe Waze ku mund të shihni rrugët dhe mund të dërgoni sinjale për çdo lëvizje në rrugë në një sistem komande dhe kontrolli në një kompjuter tjetër”, thotë Hosey për Zërin e Amerikës.
Për shkaqe sigurie VOA nuk u lejua të shohë mënyrën se si funksionon sistemi. Laboratori është vënë në punë para disa muajsh dhe deri tani ka ngjallur mjaft interesim.
“Kemi pasur përfaqësues nga Lituania dhe Estonia. E di që në të ardhmen do të kemi përfaqësues nga Polonia dhe Gjermania, ndërsa përgatitemi për stëvitje”, thotë koloneli i Ushtrisë amerikane Tim Sikorsi.
Shumë aleatë perëndimorë të NATO-s kanë vepruar së bashku për dekada. Por bashkëpunimi ishte më i zbehtë në Evropën Lindore, ku shumica e anëtarëve të NATO-s nuk iu bashkuan aleancës deri në vitin 2004, ose më vonë, gjë që shton rëndësinë e këtij laboratori.
“Mendoj se vendet po e shohin brutalitetin e asaj që po ndodh në Ukrainë. Ka një ndjenjë urgjence, prandaj 30 vendet janë bashkuar drejt një qëllimi”, thotë gjenerali John Kolasheski i cili komandon rreth 20 mijë ushtarë amerikanë në krahun lindor të NATO-s.
Aleatët janë bashkuar për të penguar agresionin rus dhe për të përmirësuar aftësitë e tyre për të luftuar së bashku, përmes një sistemi të ndërlidhur teknik.
Top Channel