Basha dënon me forcë sulmin terrorist ndaj Top Channel: Autorët të vihen para drejtësisë!

27/03/2023 11:07

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dënuar me forcë sulmin terrorist ndaj Top Channel, ku ka mbetur viktimë roja i sigurisë Pal Kola.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Basha bën thirrje thirrje për vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi të rëndë kundër jetës, sigurisë dhe medias.

Dënoj me forcë sulmin me armë ndaj tv kombëtar Top Channel me pasojë vrasjen e rojes së sigurisë. Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët e të ndjerit Pal Koka dhe bëj thirrje për vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi të rëndë kundër jetës, sigurisë dhe medias”- shkruan Basha.

Top Channel është përballur me një situatë të rëndë në orët e para të mëngjesit të së hënës, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës, duke lënë të vdekur rojen e sigurisë, Pal Kola. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.

Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.

Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.

Top Channel