Sulmuesi Sokol Cikalleshi shoqëroi trajnerin Sylvinho në konferencën për shtypin, në prag të ndeshjes me Poloninë.
Nga Varshava, sulmuesi i Kombëtares deklaroi se skuadra do të bëjë një ndeshje të kujdesshme në Varshavë. Me synimin për të mos pësuar dhe marrë të paktën një pikë.
Ai shtoi se motivimi është i madh për të bërë të lumtur të gjithë shqiptarët. Por edhe trajnerin Sylvinho në debutimin e tij në stolin kuqezi.
Në ndeshjen e fundit këtu, keni shënuar një gol shumë të bukur, por që nuk mjaftoi. Sa kemi ndryshuar dhe çfarë ka ndryshuar?
Polonia është një ekip shumë i fortë, por ne jemi të fokusuar te puna jonë. Tani kemi një trajner të ri, me të cilin jemi munduar të krijojmë një ekip kompakt. Që me shpirtin e duhur të garës mund të arrijë rezultatet e duhura.
E keni ndjekur dhe analizuar ndeshjen e Polonisë ndaj Çekisë. A është kjo skuadër, më e fortë apo më e dobët se ajo që u përball me ne në edicionin e kaluar?
Ata vijnë pas një performance të mirë në Botëror. Por në ndeshjen e fundit pësuan dy gola të shpejtë dhe humbën pak balancën. Megjithatë e morën veten shpejt. Ne e dimë që kanë individë shumë të mirë, të cilët luajnë në klubet më të forta të Europës. Nuk duam të futemi në gjendjen që kemi përballë një ekip të dobët. Përkundrazi, vlerësim maksimal për kundërshtarin dhe përqendrim maksimal për të marrë rezultat pozitiv.
Ka ndryshuar trajneri, por edhe qasja e skuadrës. Për çfarë rezultati do të luajë Shqipëria nesër?
Ne futemi në fushë gjithmonë për fitore. Por duke parë që jemi në një grup të fortë, ne do të provojmë të bëjmë një ndeshje kompakte dhe të kujdesshme. Për të mos pësuar. Kryesore është të mos humbim, por sigurisht që kemi edhe strategjitë tona për të marrë fitoren.
A ndiheni më mirë me skemën 4-3-3?
Normalisht është një skemë klasike në futboll, ku çdo lojtar ndihet komod. Por është fusha ajo që do të tregojë rezultatet. Me “3-5-2” nuk kemi arritur aty ku duam. Tani ndihemi më mirë. Duke shtuar edhe harmoninë në grup, unë besoj që mund të bëjmë diçka më mirë, për një hap cilësor.
Në cilin repart na kanë penalizuar më shumë mungesat?
Ne jemi Kombëtare e vogël dhe të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Trajneri nuk ka luksin të zgjedhë më të mirët, por unë nuk dua të mendoj për ata që mungojnë. Duhet të shohim te grupi që është këtu. Për të qenë bashkë dhe me dëshirën e duhur për t’i bërë të gjithë shqiptarët krenarë.
Si e keni përgatitur ndeshjen me Poloninë?
E dimë që kemi përballë një ekip shumë të fortë, me lojtarë kualitativë. Ndaj në analizë, ne kemi arritur në përfundimin, që të mos u japim hapësirë kundërshtarëve. Ata luajnë vertikalisht dhe bëhen të rrezikshëm kur dalin në kundërsulm. Duhet të jemi kompaktë dhe të mos lëmë hapësira. E dimë që Polonia do të kërkojë patjetër fitoren. Ndaj ne do të presim momentin tonë për ta goditur në kohën e duhur.
Është kënaqësi që do të luajmë në një stadium të tejmbushur. Kemi karrierë të gjatë dhe e dimë që futbolli pa tifozë, është i mangët. Sigurisht që tifozët janë në favor të Polonisë. Por ne jemi të gatshëm të aplikojmë strategjitë tona. Për të bërë një ndeshje shumë të mirë. Trajneri debuton dhe na bie detyra neve që të bëjmë dyfishin e punës, që ta lumturojmë pas ndeshjes./ Super Sport
Top Channel