Luftime të ashpra kanë vazhduar në afërsi të qytetit lindor ukrainas të Bahmutit, me Rusinë që ka kryer dhjetëra sulme në 24 orët e fundit, tha ushtria ukrainase më 25 mars.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se ka pasur 59 përleshje në frontin përgjatë Bahmutit në zonën e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës, Marinkës dhe Shaktarskut. Në këto zona, për javë të tëra janë zhvilluar luftime intensive.
Një ditë më herët, ushtria ukrainase tha se nuk ka parë reduktim të operacioneve ruse në zonën e Bahmutit, pavarësisht pretendimeve të disa analistëve se ofensiva disamujore e Moskës është dobësuar. Instituti për Studime të Luftës – me seli në Shtetet e Bashkuara – ka shkruar se “ofensiva e gjerë pranverore ruse duket se ka kulmuar” dhe se “komanda ushtarake ruse do të duhet të vendosë një numër të madh të forcave në frontin e luftës …. për të rinisur operacionet e ofensivës”.
Forcat ukrainase kanë kryer sulme ajrore ndaj pozicioneve ruse në këtë rajon dhe raportohet se kanë rrëzuar një helikopter ushtarak rus të llojit Mi-24.
Forcat e Mbrojtjes Territoriale në rajonin jugor të Hersonit raportuan më 25 mars se ka pasur një sërë sulmesh dhe granatimesh në 24 orët e fundit. Disa sulme ajrore kanë goditur zonat e banuara, u tha në deklaratë, dhe dy civilë u vranë. Këshilli i qytetit të Hersonit një ditë më parë udhëzoi banorët që jetojnë afër lumit Dnjepër që të largohen “në zona të sigurta”.
“Për shkak të sulmeve të vazhdueshme, është e pamundur të ofrojmë furnizime të qëndrueshme të ujit dhe ngrohjes”, tha këshilli përmes një postimi në Telegram. “Opsioni më i mirë për të mbrojtur veten dhe më të dashurit tuaj është të evakuoheni në zona më të sigurta”. Zyrtarët thanë se kanë organizuar transport me autobus nga Hersoni për në Odesa dhe se 59 civilë u evakuuan më 24 mars./Rel
Top Channel