Kryesia e Partisë Socialiste pasditen e sotme do të vendosë në mënyrë përfundimtare se kush do të jetë skuadra garuese për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Kanë mbetur vetëm 2 ditë nga përfundimi i afatit zyrtar të depozitimit të listave të kandidatëve, për kryebashkiakë apo anëtarë këshillash, prandaj socialistët sot do të nxitojnë të caktojnë sot listën përfundimtare.

Pas 5 orësh do të marrin fund ethet e gjata të pritjes për zyrtarizimin e listës me kandidatët e Partisë Socialiste. Do të jeta kryesia që do hartojë listën përfundimtare.

Duke raportuar për edicionin e lajmeve të orës 12:00 gazetari Top Channel Muhamed Veliu tha se “Nuk priten surpriza, sugjerohet se PS hyn në garë me rikonfirmimin të rreth 80% të kandidatëve që janë në detyrë si kryetarë bashkie.

Ka emra që janë konfirmuar, ku katër muaj më parë Edi Rama konfirmoi Elton Arbanën për një mandat tjetër drejtimi bashkia Shijak, ndërsa në takimet me Erion Veliajn e ka bërë të qartë se ai do udhëheqë garën për Tiranën.

Do të vendoset për disa bashki të tjera ‘kritike’ si ajo e Fushë-Krujës, që nuk është gjetur ende konsensus, apo bashkia e Divjakës.

Rama ia bëri të qartë deputetëve të mos shpresonin që do të garonin, në vendoret e 14 majit, por duket se në Shkodër ku pritet të kandidojë Benet Beci dhe Gramsh Besjon Ajazi, do të bëhen përjashtime.

Po ashtu, Rama synon edhe shumicën edhe në këshillin Bashkiak. Mbledhjes të kryesisë socialiste i ka paraprirë një takim i krye socialistit Edi Rama me asamblenë e PS në qytetin e Vlorës, aty ku synon fitore të thellë.

Top Channel