Kreu i Republikës Sërpska zgjodhi përvjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbi për të lëshuar apelin provokues të radhës.

“Të ardhmen e shoh tek bashkimi i Serbisë me Republikën Serbe”, deklaroi kreu i entitetit serb në Bosnje Hercegovinë. Në fjalimin e mbajtur pas përkujtimit të bombardimeve të aleancës ushtarake veri-atlantike në Republikës Federale të Jugosllavisë, në vitin 1999 për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë, Dodik përsëriti kërcënimet për shkëputjen e entitetit që ai drejton.

“Tani ata duan të rrëmbejnë pronën, ndërkaq unë u them – në momentin që ju përpiqeni të rrëmbeni pronën tonë, ju keni thirrur një seancë të Kuvendit të Republikës Sërpska, ku do të marrim një vendim për pavarësinë e Republikës Sërpska. Mjaft më me premtimet e juaja të rreme, nuk do t’ju shikoj dhe nuk do t’ju duroj”, është shprehur Dodik.

Mesazhi i tij erdhi një ditë pas vendimit të Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe dhe publikimit të një projektligji që detyron organizatat joqeveritare të raportojnë të gjitha transaksionet e financuara nga jashtë. Vendimi u mor në seancën e qeverisë së këtij entiteti të enjten në Banja Llukë.

Top Channel