Çuçi kërkesë homologes Braverman: Amnistoni shqiptarët pa viza, por që punojnë ndershmërisht në Britani

25/03/2023 11:36

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është pritur nga Sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Suella Braverman në Home Office.

Gjatë takimit mes homologëve është diskutuar bashkëpunimi dypalësh për të adresuar çështje komplekse si emigracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar.

“Me homologen britanike Suella Braverman diskutuam mbi bashkëpunimin dypalësh për të adresuar çështje komplekse si emigracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar, fenomene transnacionale që kurrsesi nuk mund të identifikohen me etni të caktuara. Ndava me homologen time shqetësimin se është e patolerueshme që komuniteti shqiptar të veçohet dhe stereotipizohet vetëm nga disa personazhe të botës ilegale”, tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm i bëri një propozim konkret homologes së tij britanike, për të amnistuar shqiptarët pa viza në Mbretërinë e Bashkuar, por që punojnë ndershmërisht dhe s’kanë rekorde kriminale në ngarkim.

Qasja jonë është se emigracioni i paligjshëm nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit përmes rrugëve legale. Në këtë pikë i kërkova homologes Braverman të rishikojnë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. I kërkova gjithashtu të amnistojë çdo shqiptar pa vizë, por që punon në mënyrë të ndershme dhe nuk ka rekorde kriminale në ngarkim”, deklaroi ministri Çuçi.

Diskutim i rëndësishëm me Bledi Çuçi në lidhje me kontributin e çmuar të komunitetit shqiptar në MB, dhe progresin sipas Komunikatës sonë të Përbashkët. Kjo përfshin trajtimin serioz të krimit të organizuar dhe kthimin e shtetasve shqiptarë, si ata që mbërrijnë me gomone“- shkroi Braverman në Twitter. 

 

Top Channel