Shefi i kabinetit të Orban: Hungaria nuk do ta arrestojë Putinin nëse ai kalon kufirin

24/03/2023 13:36

Hungaria nuk do ta arrestojë presidentin rus Vladimir Putin nëse ai do të hyjë në vend, tha të enjten shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban, duke shtuar se nuk ka asnjë bazë ligjore për t’u bërë një gjë e tillë.

Hungaria është nënshkruese dhe ratifikuese e Statutit të Romës që krijoi Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), e cila lëshoi një urdhërarrestim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte.

I pyetur nëse Putini do të arrestohej nëse do të shkonte në Hungari, shefi i kabinetit të Orbanit, Gergely Gulyas, tha në një konferencë se Statuti i Romës nuk ishte ndërtuar në sistemin ligjor hungarez. Ne mund t’i referohemi ligjit hungarez dhe bazuar në këtë nuk mund të arrestojmë Presidentin rus… pasi statuti i ICC nuk është shpallur në Hungari”, tha Gulyas.

Kur u pyet, ai tha se qeveria e tij “nuk kishte formuar një qëndrim” për urdhërarrestimin e lëshuar kundër Putinit.

“Këto vendime nuk janë të duhura, pasi ato i çojnë gjërat drejt përshkallëzimit të mëtejshëm dhe jo drejt paqes, ky është mendimi im personal subjektiv”, shtoi Gulyas.

Rusia e ka cilësuar “skandaloz” vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj Putinit. As Rusia, e as Ukraina nuk janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Kievi, megjithatë, i ka dhënë juridiksion kësaj gjykate që të ndjekë krimet e kryera në territorin e saj që kur Moska nisi pushtimin vitin e kaluar.

Gjykata Penale Ndërkombëtare, e përbërë nga 123 anëtarë, nuk ka forcë të saj policore për të zbatuar urdhër-arrestet, por varet nga shtetet anëtare që të arrestojnë të dyshuarit për t’i sjellë më pas për gjykim në Hagë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë se masa e ICC-së do të çonte në “përgjegjësi historike”, duke shtuar se dëbimet e fëmijëve nga Ukraina përbënin një politikë “të së keqes shtetërore që filloi pikërisht nga zyrtari më i lartë i këtij shteti [Rusisë]”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA