Myrto Uzuni, lojtari më i shtrenjtë në ligën e dytë spanjolle

24/03/2023 20:57

Myrto Uzuni është shënuesi më i mirë i ligës së dytë spanjolle, duke e afruar Granadën me ngjitjen në elitën e futbollit spanjoll.

Sulmuesi nga Berati po kalon momentin më të mirë të karrierës deri më tani, diçka që është reflektuar dhe në vlerën e tij në sajtin e vlerësimit të lojtarëve “Transfermarkt”.

Sulmuesi ka arritur shifrën e 8 milionë eurove, duke u bërë lojtari me vlerën më të lartë në LaLiga2. Në të njëjtën vlerë është dhe Jorge de Frutos i Levantes.

Me formën e treguar, futbollisti i Kombëtares ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave në ligat kryesore në Europë, e nëse vijon me të njëjtin ritëm do të jetë e vështirë për Granadën që ta mbajë edhe edicionin e ardhshëm. Por, klubi i tij do të arkëtonte një shumë të majme nga shitja e 26-vjeçarit.

Granada investoi në janarin e 2022, 4 milionë euro për Uzunin, teksa tanimë vlen dyfishin e kësaj vlere. Sulmuesi i hodhi hapat e para të karrierës në skuadrën e të rinjve të Beratit, para se të luante me Apoloninë e më pas me Laccin në Shqipëri.

Eksperiencën e parë jashtë vendit, 26-vjeçari e regjistroi në Kroaci tek Lokomotiva Zagreb, para se të kalonte tek Ferencvaros, që i shiti kartonin tek spanjollët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA