Ish-lojtari i kombëtares angleze Dele Alli është zhdukur në Turqi. Lajmi është bërë i ditur nga trajneri i tij, Senol Gunes, i cili theksoi se Alli që aktualisht luan për Beshiktashin nuk është paraqitur në stërvitje të mërkurën.
“I dhamë disa ditë pushim, por ai nuk u kthye. Ne e thërrasim në celular dhe nuk mund ta kontaktojmë, po mundohemi ta kontaktojmë. Shpresoj që ai të mos ketë pasur një lloj aksident dhe se gjithçka është në rregull me të”, ka thënë Gunes.
Alli aktualisht është lojtar i Evertonit i huazuar te Beshiktash. Mediat turke dhe angleze raportuan pak ditë më parë se Dele Alli është përjashtuar nga skuadra e Beshiktash dhe se do t’i ndjekë ndeshjet nga tribuna për pjesën e mbetur të sezonit. Ai përfundimisht duhet të kthehet në Everton.
Ai luajti 17 ndeshje këtë sezon dhe shënoi tre gola, që është shumë nën nivelin e tij të mëparshëm.
Teksa luante për Tottenhamin katër vite më parë, Alli konsiderohej si lojtari i ri më i mirë në Angli dhe një nga më të mirët në Evropë.
Në atë kohë, çmimi i tij në Transfermarkt ishte deri në 100 milionë euro. Ai ka 37 paraqitje për kombëtaren angleze, me të cilën ishte në Kupën e Botës në vitin 2018.
Karriera e tij ka qenë në një trajektore të rënies prej kohësh pasi nuk e kishte vendin e sigurt në skuadër as te Beshiktash.
Top Channel