Rama takon Sunak në “Downing Street”: I gatshëm të bashkojmë forcat për të luftuar emigrimin e paligjshëm dhe krimin

23/03/2023 17:50

Kryeministri anglez Rishi Sunak priti këtë të enjte në Downing Street homologun Edi Rama, në vizitën e parë të një kryeministri shqiptar në këtë godinë historike.

Gjatë bashkëbisedimit me Sunak, Rama shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar për emigrimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Anglisë dhe goditjes së bandave kriminale, pjesë e të cilave janë dhe persona nga Shqipëria.

Jam shumë i nderuar! Siç e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike dhe jam falënderues për këtë. Është një moment i veçantë ky për bashkëpunimin. Siç e thatë, ne kemi bashkuar forcat me bindjen e plotë se na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve.

Në të njëjtën kohë dua t’ju falënderoj për mundësinë që të theksoj se ashtu siç, jo të gjithë britanikët janë “James Bond” apo “Mr. Bean”, ashtu edhe jo të gjithë shqiptarët janë personazhe që dalin nga “Taken”.

Ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjeshtë një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjeshtë një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë që kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë për ju dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu.Mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për tu luftuar dhe për të fituar këtë betejë dhe siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë. Më duhet të them që prej një kohe të gjatë ndihem se ka vërtetë një angazhim serioz jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra nga ana juaj dhe pres me padurim që të bëj më të mirën së bashku me ju“.

Sunak vlerësoi progresin që është bërë në lidhje me ndëshkimin e emigrimit të jashtëligjshëm dhe u shpreh se përveç çështjes së emigrimit me homologun shqiptar do të diskutojë edhe për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë si edhe në fushën e sigurisë, specifikisht mbi sulmet kibernetike.

“Gjatë vitit të kaluar ne biseduam për të ndëshkuar emigrimin e paligjshëm dhe jam i lumtur për progresin që kemi bërë në atë drejtim. Do ta diskutojmë më shumë edhe më vonë. Dua gjithashtu të diskutoj me ju për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë si edhe në fushën e sigurisë, specifikisht mbi sulmet kibernetike të cilat ju keni kaluar. Për të gjitha këto dhe më shumë jam i lumtur që do të diskutojmë së bashku, por së pari kënaqësi që ju pres këtu”.

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare tri ditore në Britani. Në fokus të diskutimeve me zyrtarët britanikë janë diskutimet për çështjet e emigrantëve të paligjshëm dhe rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Top Channel