OKB nxit për ndërhyrje të huaj në Haiti pas përshkallëzimit të dhunës (fotot)

23/03/2023 17:34

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për dislokimin e një “force ndërkombëtare të specializuar” për të ndaluar që Haiti ka kalojë në dhunë ekstreme pas më shumë se 500 vrasjeve që janë regjistruar këtë vit.

“Përplasjet mes bandave po bëhen gjithnjë e më të shpeshta e më të dhunshme”, tha sot përfaqësuesja e të drejtave të njeriut në OKB Marta Hurtado, e cila paralajmëronte dje për shqetësimin se situata mund të kthehen në një spirale jashtë kontrolli.

Agjencia tha se vetëm këtë vit kishte numëruar 531 vrasje, 300 plagosje e 277 pengmarrje në incidentet e lidhura me bandat, kryesisht në kryeqytetin e mbipopulluar Port-au-Prince.

Të paktën 208 nga të vrarët dhe 101 nga pengmarrjet kanë ndodhur këtë muaj teksa “shumica e viktimave janë vrarë me snajper në rrugë apo në shtëpitë e tyre”, tha Hurtado.

Kaosi në Haiti raportohet se  do të jetë në axhendën e presidentit amerikan Joe Biden, i cili aktualisht po viziton Kanadanë ku do kërkojë që ai vend të drejtojë ndërhyrjen e sigurisë në Haiti.

Një tjetër vend që do të listohet për një rol është Brazili, i cili ka dërguar aty misionet paqeruajtëse në 2004-2017. Por ministri i jashtëm brazilian Mauro Vieira, tha në një intervistë se nuk ka plane për të marrë pjesë në ndërhyrje ushtarake në Haiti.

“Mendoj se duhet të kërkohen zgjidhje të tjera – nuk e di nëse dërgimi i trupave paqeruajtëse do të ishte zgjidhja, dhe mendoj se duhet të marrin pjesë dhe vende të tjera”, tha ai për rrjetin britanik TheGuardian.

Kriza në Haiti është intensifikuar që prej vrasjes në vitin 2021 të presidentit Jovenel Moïse, në një atentat në rezidencën e tij në Port-au-Prince. Prej atëherë bandat e lidhura me politikën kanë nën kontroll më shumë se 60% të kryeqytetit. Forcat e policisë janë rebeluar dhe gjendja humanitare në vend është përkeqësuar.

“Nuk mund ta imagjinoni, është situatë e rëndë,” tha komisioneri i OKB, Volker Türk, në një koment pas vizitës në Haiti muajin që shkoi. “Mijëra njerëz në kryeqytet janë në krizë urie”.

Kriza aktuale ka bërë që anëtarë të komunitetit ndërkombëtar të mbështesin ndërhyrjen, e kërkuar fillimisht nga kryeministri i pasigurtë i Haitit Ariel Henry, prej tetorit.

FOTO GALERI
1/3
Kriza në Haiti është intensifikuar që prej vrasjes në vitin 2021 të presidentit Jovenel Moïse, në një atentat në rezidencën e tij në Port-au-Prince

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA