KAS “rrëzon” Berishën, nuk pranon kërkesën e Rithemelimit për pezullimin e regjistrimit të PD-së në zgjedhje

23/03/2023 14:18

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar me shumicë votash kërkesën ankimore të përgatitur nga Rithemelimi për pezullimin e regjistrimit të PD-së së Alibeajt për zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Berisha kërkonte pezullimin e regjistrimit të PD-së deri në marrjen e vendimit nga Kolegji Zgjedhor, por KAS la në fuqi vendimin e Ilirjan Celibashit, i cili zbatonte verdiktin e KAS për regjistrimin e PD-së në zgjedhje me kryetar Enkelejd Alibeaj.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe mund të bëhet ankimim brenda 5 ditëve në Kolegj. Mbledhja e sotme është shoqëruar me debate, ndërsa përfaqësuesi ligjor i Rithemelimit, Ledio Nuraj, e konsideroi regjistrimin e PD-së në zgjedhje të paligjshëm dhe koti.

 “Është shkelur besueshmëria e procesit zgjedhor nga të gjitha palët. Kërkojmë kundërshtimin e vendimit të KQZ, ku ka bërë regjistrimin e PD në zbatimit të vendimit tuja, po të paligjshëm dhe tejkalimit të çdo kompetence, ndryshimin, duke vendosur pezullimin e vendimit. Pavarësisht se vjen për të qeshur, se e dini dhe vetë që keni marrë një vendim koti. Argumenti se vendimi ishte menjëherë i zbatueshëm, për ne nuk qëndron”, tha ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i ligjori i PD-së së Alibeajt, tha se vendimi i KAS për regjistrimin e PD-së ishte detyrues dhe nuk mund të zhbëhet.

“Është një artificë ligjore për të goditur vendimin e KAS, nëpërmjet ankimimit që të pezullohet vendimi që ky komision dha për regjistrimin e PD. Ky vendim që KAS dha është vendim detyrues, dhe nuk mund të kërkohet nga komisoneri për zgjatjen e afatit, apo mbajtjen e çështjes pezull. Në këto kushte komisoneri nuk kishte tagrin për të zgjatur afatin për të marr një vendim ndryshe nga vendimi i komisionerit”, tha Kthupi.

Vlen të theksohet se mbledhja e Kolegjit Zgjedhor për ankimimin që Sali Berisha ka bërë ndaj vendimit të KAS për arsye se urdhërori KQZ të regjistrojë PD-në e Alibeajt në zgjedhje, do të mbahet në 27 mars.

Top Channel