Zamira Durda, nëna e fëmijës që u vra në tragjedinë e Gërdecit nuk mori përgjigje as këtë të enjte, nëse do jetë apo jo palë në procesin ndaj Fatmir Mediut.
Seanca e dytë paraprake dështoi mbasi gjykata kërkoi qëndrimin e SPAK, mbi kërkesën e familjarëve të Erison Durdës që duan ti bashkangjiten gjykimit, bazuar në ndryshimet ligjore të reformës në drejtësi.
“Jam e revoltuar se nuk na thirrën sërish në seancë, kemi bërë kërkesë. Nuk e di se çfarë vendimi morën se nuk isha palë, thonë do pyesim dy prokurorët e tjerë nëse jemi përfaqësues të viktimës, kur jemi kërkues të hapjes së çështjes”- tha Zamira Durda.
Familja Durda kërkon rikualifikim të veprave për ish ministrin e mbrojtjes që akuzohet për shpërdorim detyre, një vepër që familjes që u bë shkak për hapjen e dosjes Gërdeci i ngjan e papërfillshme.
Veç kësaj ata kërkojnë edhe pyetjen e ish ushtarakut Luan Hoxha, i cili mbas tragjedisë u zhvendos në SHBA.
Në pikën ku procesi ka ngecur, Dorjan Matlia si përfaqësues i të dëmtuarve nga shpërthimi i 15 marsit, insiston se palët duhen dëgjuar.
“Është shumë herët që unë të aludoj për diçka, kam dyshime sigurisht dhe nuk dua të ketë pjesëmarrje të familjarëve të viktimave në proces. Është shumë e vështirë për Gjykatën që të marrë vendim e të japë përgjigje të gjithë argumentave që mundtë ngrihen.Në qoftë se janë familjarët prezente mund të ngrihen argumenta shtesë e Gjykatës mund t’i vështirësohet punë. “- tha Dorjan Matlia.
“Patjetër që duhet të jenë të pranishëm. i kemi kërkuar Gjykatës t’i thërrasë, nëse vepra ka viktima duhet të jenë prezente në seancë”-tha Ardian Visha, Avokat i Mediut
Seanca e gjyqit paraprak do të mbahet në 6 prill ku dhe pritet të vendoset nëse dosja kundër Fatmir Mediut do të kalojë në gjyq themeli, apo do ti kthehet pas SPAK për veprime të tjera. Ish funksionari e vlerëson hetimin të pambështetur dhe kërkon pushim të çështjes.
Top Channel