Ukraina nuk gjen qetësi! Kiev, sulmet ajrore vrasin shtatë persona në një shkollë

22/03/2023 17:59

Ukrainasit nuk kanë gjetur qetësi, pasi janë goditur nga sulme ajrore me dronë rusë të cilat vranë shtatë persona në një shkollë profesionale në Kiev.

Sipas zyrtarëve ukrainas njëzet persona janë shtruar në spital si pasojë e dëmtimeve të marra.

“Për fat, shumica e njerëzve, zbritën në një strehë të sigurt. Kjo i shpëtoi jetën. Ata ndoqën udhëzimet dhe sapo ra alarmi, ata zbritën për t’u strehuar dhe u larguan vetëm pasi ndodhën shpërthimet. Deri tani, si pasojë e sulmit me dron gjatë natës në rajonin e Kievit, shtatë persona kanë vdekur”, tha Iryna Pryanishnikova, zëdhënëse e policisë së rajonit të Kievit .

 “Në orën 4:30 të mëngjesit mora një telefonatë nga jashtë, duke më pyetur nëse isha mirë. Nuk e kuptova pse po më pyesnin këtë, çfarë po ndodh. Thashë se jam duke fjetur dhe jam mirë. Dhe më vonë në mëngjes, pashë në lajme se një tragjedi e tmerrshme ndodhi këtu”, deklaroi  Iryna- banore në Rzhyshchiv.

Njëkohësisht një nga zonat e tjera më të goditura nga sulmet është Zhaporizhia, aty ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën disa të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.

“Fillova të vishem i pari. Gjithçka filloi të derdhej mbi mua. Gjithçka filloi të shkërmoqet, rrëzohesha dhe më pas më duhej të zbrisja disi. Njërën derë duhej ta trokas me këmbë. Zbrita nëpër rrënoja. Nuk ka banesën tonë, as ballkon, asgjë. Zjarri arriti në banesën tonë“, tha Artem Mayboroda-banor.

Pas shpërthimeve ndërtesat janë “pushtuar” nga zjarret, të cilat mbushët të gjithë zonën me tym. Zjarrfikësit mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke nisur punën për shuarjen e flakëve.

Prej më shumë se një viti Ukraina është në luftë, e cila ka shkatërruar shumë qytete. Sulmet e vazhdueshme ajrore nuk kanë kursyer as civilët, duke bërë që numri i viktimave të rritet ditë pas dite.

 

 

Top Channel