Kombëtarja Shqiptare vijon punën për t’u përgatitur për ndeshjen e parë eliminatore të Europianit Gjermani 2024, e planifikuar për t’u luajtur mbrëmjen e të hënës në Varshavë, përballë Polonisë vendase.
Kuqezinjtë janë të grumbulluar në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, teksa Sylvinho i ka nxjerrë sot në fushë për seancën e katërt stërvitore dhe vlen të theksohet se trajneri ka nisur të skicojë formacionin që do të përdorë në Varshavë.
Kështu me jelekë luajtën Veseli në të majtë të mbrojtjes, Kumbulla e Mihaj në qendër dhe Baliu në të djathtë. Në mesfushë u provuan treshja Gjasula, Abrashi e Ramadani, ndërfsa në sulm Mehmneti e Uzuni në krah, me Cikalleshin në qendër.
Natyrisht bëhet fjalë vetëm për një provë të trajnerit brazilian, që do të ketë mundësi të shohë nga afër futbollistët edhe për 5 seanca të tjera deri të dielën, në mënyrë që të ndajë mendjen për formacionin që do të hedhë në fushë në Poloni.
Kombëtarja shqiptare do të qëndrojë e grumbulluar në Tiranë deri mëngjesin e të dielës, kur edhe do të fluturojë drejt Varshavës, për ndeshjen e parë eliminatore.
Top Channel