Aleksandër Vuçiç edhe një herë e bëri të qartë se Serbia nuk e pranon njohjen e Kosovës.

Përmes një postimi në Instagram, presidenti serb u kujdes të sqaronte ndjekësit e tij marrëveshja e fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti nuk nënkupton njohjen dhe nuk bëhet fjalë as për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare, duke lënë kështu të kuptohet se fakti që nuk ka firmosur asgjë deri tani, do të sjellë vazhdimësinë e status quo-së aktuale të marrëdhënieve dy palëshe.

Por BE-ja dhe SHBA-ja I kujtuan se marrëveshja me të cilat palët ranë dakord në Ohër është ligjërisht e detyrueshme edhe pse e panënshkruar. Shefi i politikës së Jashtme të BE Josep Borrell sqaroi se zbatimi i saj do të mbikëqyret nga një komision i përbërë nga të dyja vendet dhe Bashkimi Europian.

“Nuk do të jemi më në gjendje krize, por do të ndjekim implementim të marrëveshjeve të arritura më parë me 27 shkurt në Bruksel. Këto marrëveshje hyjnë në fuqi me deklaratën që unë lëshova. Nuk kishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por të dyja palët u pajtuan me deklaratën dhe përcollën përkushtimin e tyre për të plotësuar tërësisht detyrimet që burojnë nga kjo ujdi e nga aneksi i implementimit”, u shpreh kryediplomati europian.

Borrell përsëriti se Prishtina zyrtare e ka urgjente fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Kalendari kërkon që secila palë ta bëjë pjesën e vet, nuk fillon ndërtimi i shtëpisë nga çatia.

Disa nga këto gjëra janë shumë urgjente, e kam thënë se Kosova duhet menjëherë të përkushtohet për formimin e Asociacionit. Janë bërë një sërë zotimesh dhe ne do të shohim se si palët do t’i përmbushin ato”, ishte komenti i tij.

Top Channel