Libanezët përleshen me policinë në protestat kundër rrënimit ekonomik (fotot)

22/03/2023 16:18

Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës ndaj turmave të ish-ushtarakëve që protestonin sot në kryeqytetin Bejrut ndaj përkeqësimit të kushteve ekonomike.

Policia libaneze u përplas sot me qindra protestues, kryesisht ish-anëtarë të forcave të sigurisë të dalë në pension që ishin mbledhur pranë ndërtesave qeveritare për të protestuar ndaj degjenerimit të situatës ekonomike në vend.

Protestuesit në qendër të Beirutit mbanin flamurin tri-ngjyrësh të Libanit me logon e forcave të sigurisë. Protesta ishte thirrur nga ushtarakë në pension dhe nga qytetarë që nuk i jepet akses te paratë e tyre në banka pas vendosjes së kontrolleve prej krizës financiare në vend, një nga më të rëndat në historinë moderne të Libanit.

Protestuesit qëlluan me gurë ndaj oficerëve që mbronin ndërtesat qeveritare dhe vazhdimisht tentuan të thyejnë gardhet rrethuese. Shumë prej tyre pësuan probleme frymëmarrjeje nga gazi lotsjellës.


Demonstruesit protestonin ndaj përkeqësimit të vlerës së pensioneve shtetërore teksa paundi libanez ka humbur një pjesë të madhe të vlerës së tij që prej vitit 2019, teksa situata është përkeqësuar vitet e fundit.

Duke raportuar nga protesta Zeina Khodr e rrjetit Al Jazeera tha e Libani është në vitin e katërt të krizës ekonomike për të cilën ekspertët thonë se i ka rrënjët te keqmenaxhimi e korrupsioni.

“Njerëzit besojnë se klasa politike dhe elitat nuk duan ta zgjidhin këtë krizë sepse kërkon reforma të thella kundër korrupsionit. Por nëse e bëjnë këtë ata humbasin kontrollin ndaj shtetit dhe burimeve që shfrytëzojnë prej vitesh”, shtoi ajo.

Kriza ka çuar në mbylljen e shkollave dhe shumë familje nuk përballojnë dot ushqimin dhe nevojat bazë. Qeveria ka dhënë subvencione për rrymën elektrike që gjithsesi është me mangësi të shumta.

“Fëmjët tanë janë të uritur, ne jemi të uritur,” tha Mohamad el-Khateeb, një 59-vjeçar që ka shërbyer në ushtri prej 32 vitesh.

“Dola nga ushtria pa asgjë. As sigurime shëndetësore as asistencë, kemi fëmijët në shkollë dhe çmimet po rriten në mënyrë të papërmbajtur”, tha ai.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA