Banka Qendrore Amerikane drejt një rruge të pasigurt, rrit normën e interesit dhe krijon konfuzion në tregjet financiare

22/03/2023 19:42
Foto Ilustruese

Banka qendrore e SHBA ka rritur sërish normat e interesit, pavarësisht frikës se masa mund të shtojë trazirat financiare pas një vargu dështimesh bankare të fundit.

Rezerva Federale rriti normën e saj bazë me 0.25 përqind dhe tha se më shumë veprime mund të ishin “të përshtatshme” pasi çmimet e konsumit vazhdojnë të rriten.

FED ka rritur kostot e huamarrjes në përpjekje për të ngadalësuar ekonominë dhe për të lehtësuar presionet që rrisin çmimet. Rritja e mprehtë e normave ka sjellë tendosje në sistemin bankar.

Lajmi vjen pak ditë pas falimentimit të dy bankave amerikane – Silicon Valley Bank dhe Signature Bank – këtë muaj, pjesërisht për shkak të problemeve të shkaktuara nga normat e larta të interesit.

Megjithatë, pavarësisht humbjeve, autoritetet anembanë botës nuk mendojnë se dështimet kërcënojnë stabilitetin financiar të përhapur, duke vlerësuar se nuk duhet të shpërqendrohen nga përpjekjet për të vënë nën kontroll inflacionin.

Javën e kaluar, Banka Qendrore Evropiane rriti me 0.5 përqind normën bazë të interesit. Banka e Anglisë do të marrë vendimin e saj për normën e interesit të enjten, një ditë pasi shifrat zyrtare treguan se inflacioni u rrit papritur në shkurt në 10.4 përqind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA