Video dramatike tregon policinë duke ndaluar dhunshëm të riun që vdiq në spitalin në SHBA (fotot)

21/03/2023 19:36

Pamje të rënda video janë publikuar sot ku tregohet vdekja tragjike e një 28-vjeçari me ngjyrë, teksa mbahet përtokë nga rreth 10 policë, kur po e shtronin në një spital mendor në SHBA.

Vdekja e Irvo Otieno më 6 mars në Virginia ka hapur hetime vrasjeje ndaj oficerëve të përfshirë dhe ka hedhur sërish vëmendjen ndaj brutalitetit të policisë, sidomos me njerëzit me probleme mendore.

Otieno ishte i prangosur kur policia e solli atë nga burgu i qytezës së Richmond, Virginia, në spitalin pranë Petersburg.

Mediat vendase kanë publikuar filmimin 27 minuta nga kamerave te sigurisë së spitalit ku shihet që shtatë oficerë sjellin në një dhomë Otieno, të zhveshur nga mesi e lart.

Në video shihet që i ndaluari nuk reziston ndaj oficerëve.

Ata më pas e shtrijnë përtokë duke e mbajtur për së gjati, dhe një oficer për arsye të paditura, mëshon me gju prapa kokës apo qafës së Otieno.

Pas disa sekondash i ndaluari nuk lëviz më dhe përpjekjet e punonjësve e të policëve për ta risjellë në jetë, nuk japin asnjë rezultat.

Shtatë policë dhe tre punonjës spitali, shumica e të cilave afro-amerikanë, janë akuzuar për vrasje të gradës së dytë.

Otieno ishte marrë në stacionin e policisë dy ditë pasi kaloi një krizë të shëndetit mendor.

Pasi u mbajt tre ditë në stacion, ai u transferua në spitalin shtetëror ku humbi jetën.

Rezultatet paraprake të autopsisë thonin se ai vdiq nga asfiksia teksa “ndalohej fizikisht”.

Nëna e tij Caroline Ouko tha më herët se i biri “po kalonte një episod të shëndetit mendor.”

“Ata e trajtuan djalin tim si qen, më keq se një qen. Unë e pashë me sytë e mi, ata ma mbytën djalin tim”, tha ajo.

FOTO GALERI
4/5
Shtatë policë dhe tre punonjës spitali, shumica e të cilave afro-amerikanë, janë akuzuar për vrasje të gradës së dytë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA