“Pajtimi” Kosovë-Serbi, Lajçak: Kemi qenë më ambiciozë, por Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme

21/03/2023 16:28
Foto Ilustruese

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e cilëosi si një pikëkthese marrëveshjen “interesante” në negocimin e dy shteteve. Ai u shpreh se BE ka qenë edhe më ambicioze në këtë proces por kjo pikë e negociatave është e detyrueshme.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të parën që kur Kurti dhe Vuçiç u pajtuan për të zbatuar Marrëveshjen e BE-së më 18 mars në Ohër, Lajçak nënvizoi se të dyja palët duhet t’i zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve. Aty bën pjesë edhe Neni 4, i cili thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Lajçak theksoi se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai pranoi se BE-ja kishte një plan më ambicioz: nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizim dhe një draft-aneks me afate kohore dhe detyra të qarta. Por, ai tha se udhëheqësit e dy vendeve nuk kanë mundur të bien dakord për secilën pikë dhe se presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin. Prandaj, propozimi ka ndryshuar.

Në 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti dhe Vuçiç pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian. Ndërmjetësues të takimit ishin diplomatët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit ishte i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiç e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.

Top Channel