Gwyneth Paltrow del në gjyq për plagosjen në goditjen me ski e largim nga vendngjarja (fotot)

21/03/2023 18:05

Aktorja e njohur Gwyneth Paltrow është paraqitur sot në gjyq në SHBA, e akuzuar për goditje dhe largim nga vendngjarja në një incident me ski, ku një mjek në pension mbeti me brinjë të thyera dhe lëndime në tru.

Aktorja milionere akuzohet për plagosjen e 76 vjeçarit Terry Sanderson, në aksidentin e shtatë vjetëve më parë në parkun e skive në Park City, Utah.

Paltrow erdhi sot në gjykatë me një fuoristradë të zezë për të nisur mbrojtjen e saj ligjore.

Padia civile akuzon Paltrow për “lëndim në tru, brinjë të thyera dhe disa plagosje të tjera”, ndaj Sanderson në rezortin Deer Valley në vitin 2016.

Megjithse mënyra sesi Paltrow përdorte skitë përshkruhet si “jashtë kontrolli” gjykatësi Kent Holmberg, ka vendosur që të mos dëgjohen argumentet për “goditjen dhe largimin nga vendngjarja”.

Ai tha se kishte prova të mjaftueshme se zonjusha Paltrow kishte ndaluar në vendngjarje për t’u siguruar që zoti Sanderson të mos kishte plagë të rënda, dhe më pas ishte rinisur.

Avokati i Paltrow ka kundërpaditur tashmë Sanderson duke argumentuar se ishte ai që erdhi me ski ndaj saj dhe duke e goditur në trup.

Si pjesë e padisë Sanderson kërkon dëmshpërblim $300,000 (£245,000) nga Paltrow, pasi iu refuzua më herët kërkesa e dëmshpërblimit $3.1m.

Kundërpadia e Paltrow thotë se miqtë e saj ndaluan për të kontrolluar apo ndihmuar Sanderson pas përplasjes, duke u siguruar që ai nuk ishte plagosur.

Aktorja kërkon “dëmshpërblim simbolik” $1 plus shpenzimet ligjore.

Avokati i Sanderson tha se “moskokëçarja e Gwyneth Paltrow për mirëqenien e të tjerëve gjatë rrëshkitjes me ski”, shkaktoi plagët e klientit të tij.

“Të gjithë skiatorët e dinë se kur zbret nga mali është përgjegjësia e tyre të bëjnë kujdes, dhe të bërtasin ndaj të tjerëve për t’i lajmëruar”, tha avokati i Sanderson.

“Skiatorët poshtë nuk mund të shohin ata që zbresin nga lart, dhe ata duhet të bëjnë shmangiet e mundshme, veçanërisht ku ka shumë njerëz në pistë “.

Dokumentet thonin se Paltrow nuk kishte kontroll në skitë e saj gjatë rrëshkitjes duke goditur nga prapa e duke rrëzuar Sanderson e një tjetër skiator, duke shkaktuar lëndime serioze”.

Gjyqi vazhdon.

FOTO GALERI
2/5
Padia civile akuzon Paltrow për "lëndim në tru, brinjë të thyera dhe disa plagosje të tjera”, ndaj Sanderson

Top Channel