Presidenti kinez Xi Jingping mbërriti në Moskë për një vizitë tre ditore, e cila u parapri nga lavdërimet e Vladimir Putinit për “mikun e tij të vjetër e të mirë”.

Ndalesa e kreut të shtetit kinez në Rusi pritet të shërbejë si një riafirmim I marrëdhënieve të ngushta mes tij dhe shefit të Kremlinit, e t`i ofrojë këtij të fundit dhe oportunitetin të tregojë se nuk është izoluar në fakt nga komuniteti global. Dy udhëheqësit, që ndajnë dhe një marrëdhënie të fortë personale mes tyre, takohen sot dot ditës e më pas do të kenë dhe një drekë joformale.

Për herë të fundit, ata u takuan në Kinë vitin që shkoi, kur Putini mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore dhe në shtator në një konferencë rajonale në Uzbekistan.

Vizita e sotme u njoftua një ditë pasi Kina u bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të fillojnë bisedimet e paqes për t’i dhënë fund konfliktit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin pohoi me herët se vizita e Xi në Rusi do të “nxisë koordinimin strategjik dhe bashkëpunimin praktik midis dy vendeve dhe do t’i japë një shtysë të re zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe.”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha muajin e kaluar se do të takohej me presidentin kinez pasi zoti Xi bëri thirrje për bisedime midis Rusisë dhe Ukrainës. Kina dhe Rusia kanë forcuar marrëdhëniet në një sërë fushash dhe janë angazhuar në një partneritet “pa kufij”, siç e quajnë dy vendet.

Top Channel