Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi është duke kaluar një formë shumë të mirë me Al Khaleej në Arabinë Saudite.
Këtë sezon Cikalleshi është bërë protagonist te Al Khaleej, ndërsa ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë një asist.
Duke folur për mediet nga grumbullimi me Kombëtaren, sulmuesi 32-vjeçar u shpreh se shpreson që t’ja dalë të japë maksimumin, ndërsa shtoi se kjo është ndeshja më e vështirë në këto kualifikuese.
Sa e ndjen peshën e detyrimit për të shënuar? “Për ne fillon një edicion i ri, ndeshja e parë është më e vështira. Duke u nisur nga ndeshjet e kaluara, morëm rezultat pozitiv në atë kohë dhe shpresoj ta arrijmë përsëri. Nuk jam i vetmi lojtar në sulm dhe shpresoj kushdo që do luajë të japë maksimumin. Dhe në fund shpresoj të marrim rezultat pozitiv.”
Përshtatja me stafin e ri të trajnerëve: “Stafi i ri i trajnerëve sapo ka ardhur. Koha është e shkurtër, por shpresojmë që në këtë kohë të bëjmë më të mirën. E thash që është ndeshja më e vështirë e këtij edicioni, por nga ana tjetër mund të bëhet ndeshje që të na japë shtysën për të arritur maksimumin dhe të arrijmë kualifikimin.”
Mungesat: “Lojtarët që mungojnë nga dëmtimet janë nga më të rëndësishmit dhe këtë gjë e kanë treguar në fushën e lojës. Na kanë munguar dhe në ndeshjen që kemi luajtur me Poloninë këtu, sepse dhe atëherë kishim shumë mungesa, po ndodh e njëjta gjë, por gjithsesi dua të shoh ana pozitive dhe shpresoj kushdo të jetë në fushë të bëjë më të mirën.
Çfarë keni mësuar nga e shkuara e ndeshjeve me Poloninë? “Ajo që u mund të them sot është se duke qenë se kemi dalë nga dy ndeshje me pishmane, duhet të bëjmë një analizë të thellë dhe të mos dalim si dy ndeshjet e para.”
Ke komunikuar me trajnerin, a do jesh lideri i Kombëtares? “Grumbullimi filloi vetëm dje dhe unë kama ardhur dje dhe kam pasur një bisedë të thjeshtë me trajnerin. Nuk dua ta quaj veten lider, pasi lideri I mirë e tregon veten me vepra dhe jo me fjalë. Unë jam munduar që si në fushë edhe jashtë të jap më të mirën edhe me lojtarët e tjerë. Sigurisht nëse do më besohej unë jam gati të jem lider, por rëndësi ka të jemi mirë me njëri-tjetrin dhe grupi të jetë më i fortë, pasi vetëm ashtu mund të shkojmë afër kualifikimit.”
A do gëzoheshit me një pikë nga kjo ndeshje apo shkoni në Varshavë për të marrë fitoren? “ Në momentin që do luash një ndeshje, pavarësisht kë ke përballë qëllimi është të hysh në fushë për ta fituar ndeshjen. Duke qenë se kemi një kundërshtar direkt edhe barazimi nuk është keq, por gjithmonë shkojmë për ta fituar ndeshjen, edhe pse duhet thënë se është një ekip shumë i vështirë, por edhe ne kemi një grup shumë të mirë lojtarësh.”
Kombëtarja është grumbulluar këtë të hënë në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, ndërsa më 27 mars do të përballen në transfertë me Poloninë.
Top Channel