9 minatorë kinezë vriten në Republikën e Afrikës Qendrore, Xi Jinping dënon aktet (fotot)

20/03/2023 17:19

Presidenti kinez Xi Jinping tha sot se vrasësit e nëntë punonjësve të një miniere kineze floriri në Republikën e Afrikës Qendrore, duhet “të dënohen rëndë”.

Dy punonjës të tjerë kinezë u plagosën kur njerëz të armatosur bastisën dje impjantin minerar në qytezën qendrore Bambari.

Kryebashkiaku lokal fajësonte për vrasjen një grup rebel lokal.

Ky i fundit tha në një deklaratë se përgjegjës ishin mercenarë rusë të njësive Wagner, shkruan rrjeti britanik BBC.

Luftëtarët janë dislokuar në rajonin e pasur me minerale në ndihmë të forcave qeveritare që luftojnë kundër aleancës rebele të “Partiotëve për ndryshim”.

Si Kina dhe Rusia kanë investuar në Afrikë për mbledhjen e mineraleve duke rivalizuar influencën e fuqive perëndimore.

Ministria e jashtme kineze tha në një deklaratë se qytetarët kinezë “duhet të largohen nga zonat e rrezikuara në vend”.

“E gjithë Republika Qendrore Afrikane, me përjashtim të kryeqytetit Bangui, renditej e kuqe sa i përket rrezikut të sigurisë”, shtonte ministria.

Në deklaratë citohej presidenti kinez Xi që kishte kërkuar të bëhej çdo përpjekje për të shpëtuar të plagosurit dhe për të siguruar që autorët të arrestohen dhe të “dënohen rëndë” sipas ligjit.

Kryebashkiaku i Bambari, Abel Matchipata, tha se sulmi ndodhi në një impjant minerar të hapur vetëm dy javë më parë.

“Rebelët CPC kanë sulmuar kinezët që shfrytëzonin minierën. Ata grabitën makineritë dhe shtëpitë e tyre,” tha Matchipata.

Ndërsa rebelët fajësuan për vrasjet grupin ushtrak rus Wagner për atë që quanin “sulm dinak dhe barbar”.

Ky është sulmi i disatë ndaj qytetarëve kinezë në Republikën Qendrore Afrikanë, pas pengmarrjes së 3 kinezëve më 13 mars në perëndim të vendit.

FOTO GALERI
1/4
Kryebashkiaku lokal fajësonte për vrasjen një grup rebel lokal.

Top Channel