Edhe një herë sytë e Evropës u kthyen nga Ohri, si vendi mirëpritës i një takimi paqeje në Ballkan.

Për më shumë se dymbëdhjetë orë diskutimesh në takime bilaterale e trilaterale mes Kosovës e Serbisë u pranuan Marrëveshja bazë për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksi mbi implementimin e saj, por që mbetën të panënshkruara nga palët.

Megjithatë, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell që negocioi për orë të tëra i dha vulën marrëveshjes për të cilën tha se aprovohet pas deklaratës së Bashkimit Evropian.

E me këtë negocim del që nisin procedurat e menjëhershme për krijimin e vetmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë e po ashtu miratojnë deklaratën për personat e pagjetur.

 “Për nenin 7, Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për t’i vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb. “Palët kanë mbështetur ‘deklaratën për personat e zhdukur’, ashtu siç është negociuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente”, tha përfaqësuesi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Nisja e procedurave për implementimin e nenit 7 të marrëveshjes bazë u interpretua ndryshe nga liderët e Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh i lumtur që arriti siç tha ai Asociacionin e Komunave me shumicë serbe sipas marrëveshjeve të 2013-ës dhe 2015-ës. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës hedh fajin te presidenti i Serbisë për mungesë firmash në marrëveshje e për nenin 7 thotë se nuk flet për vetëqeverisje por, vet menaxhim.

 “Për ne është me rëndësi se ka pajtim për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, madje bazuar në marrëveshjet e arritura më herët, andaj jam shumë i kënaqur për këtë. Duhet të negociojmë edhe për personat e zhdukur, por këto do të varen pak a shumë nga plani i zbatimit”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

 “Aty thuhet që urgjentisht të angazhohemi për vet menaxhimin. Nuk është vetëqeverisje. Aty është vet menaxhim. Natyrisht që unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe angazhohem për të gjithë shqiptarët dhe pakicat e tjera. Natyrisht që do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta në mënyrë që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim, duke mos harruar që propozimi i Ahtisaarit u ka krijuar hapësirë e mundësi tejet të mëdha që t’i gëzojnë të drejtat e t’i plotësojnë nevojat e tyre”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Moment vizionar e ka quajtur i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar arritjen e marrëveshjes.

“E vlerësoj punën e kolegëve tanë evropianë që kanë arritur këtë moment vizionar. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që të ofrojmë mbështetje politike, ekonomike në mënyrë që ta arrijmë paqen në rajon”, tha emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Marrëveshja për normalizim dhe aneksi i zbatimit shënojnë hap përpara në integrimin evropian të Kosovës e Serbisë, të cilat po ashtu fitojnë ekonomikisht nga ky dakordim.

LEXO EDHE: Marrëveshja e Ohrit/ Çfarë parashikon aneksi i zbatimit të Marrëveshjes së normalizimit Kosovë-Serbi

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA