Pas dakordësimit në Ohër mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, aneks marrëveshjen e zbatimit të planit evropian kanë ardhur edhe reagimet nga forcat politike në të dyja vendet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një deklaratë për mediat tha se nuk pritshmëri nga Serbia se do t’i zbatojë marrëveshjet. Sipas saj ka një precedentë të gjatë 12 vjeçar moszbatimi, ndërsa BE duhet të ndryshojë qasje tha ajo, për të penalizuar çdo tentative jokonstruktive dhe destabilizuese nga ana e tyre.

Ndërkohë dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, PDK dhe LDK reaguan shumë ashpër.

Për Lumir Abdixhikun, kryetarin e LDK, Kurti humbi në Ohër një mundësi historike. Sipas tij, marrëveshja nuk përmbante as njohjen finale, ndërsa përfshin edhe asociacionin.

Kryetari i PDK, Memli Krasniqi tha se marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë

Reagime pati edhe nga opozita në Serbi, e cila është e ndarë në rrymën pro dhe anti-perëndimore. Kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Gërboviç, e vlerësoi si lajm shumë të rëndësishëm faktin që Marrëveshja do bëhet pjese kapitujve negociues të integrimit. Nëse je politkan pro-evropian, nuk mund të jesh kundër shtoi ai.

Lideri i lëvizjes së djathtë, Boshko Obradoviç, ka qenë më i ashpër në retorikë duke e cilësuar marrëveshjen grusht shteti. Sipas tij Vucic mori në mënyrë të paautorizuar obligimin për zbatimin e marrëveshjes.

Ndërkohë marrëveshja u përshëndet nga ndërkombëtarët. Zëdhënësja e Këshillit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Adrienne watson tha se palët duhet të nisin menjëherë zbatimin e detyrimeve.  Edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se rezultati më i rëndësishëm i negociatave të 18 marsit në Ohër është se Serbia e ka përqafuar të ardhmen evropiane dhe planin e qartë drejt saj. Oana Lungescu, zëdhënësja e NATO-s, tha se e mirëpret marrëveshjen dhe presin implementim nga palët. Dhe për shefin e zgjerimit europian, Varhelyi tha se i përgëzon të gjitha palët. Ne jemi të gatshëm t’i mbështesim të dyja në procesin e zbatimit, shtoi ai.

Top Channel