“Vlerat e familjes janë prishur në SHBA”, presidenti i Meksikës: Mungesa e përqafimeve shkak i mbidozës së drogës

18/03/2023 19:43

Prindërit në SHBA janë fajtorë për krizën e mbidozës së drogës në vend sepse nuk i përqafojnë sa duhet fëmijët e tyre dhe nuk i lënë ata të jetojnë në shtëpi për një kohë të gjatë, ka pohuar presidenti i Meksikës.

Është komenti i fundit provokues i Andres Manuel Lopez Obrador për problemet e shkaktuara nga fentanili, një opioid i fuqishëm sintetik i trafikuar nga kartelet meksikane që konsiderohet përgjegjës për rreth 70,000 vdekje në SHBA në vit.

Disa republikanë kanë thënë se mbështesin përdorimin e ushtrisë amerikane për të goditur kartelet.

Ai gjithashtu ka mohuar që Meksika prodhon fentanil.

Duke iu referuar krizës në SHBA, Lopez Obrador tha: “Ka shumë shpërbërje të familjeve, ka shumë individualizëm, ka mungesë dashurie, vëllazërie dhe përqafimesh”.

Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador

Ai ka argumentuar vazhdimisht se vlerat e ngushta familjare të Meksikës janë ato që e kanë mbrojtur atë nga vala e mbidozave të fentanilit. Por ekspertët kanë thënë se kartelet po fitojnë kaq shumë para tani nga tregu amerikan, saqë nuk shohin nevojën për të shitur fentanil në shtëpi.

Bandat shpesh shesin metamfetamina në Meksikë, ku droga është më e popullarizuar sepse supozohet se i ndihmon njerëzit të punojnë më shumë.

Lopez Obrador i ka quajtur gjithashtu politikat kundër drogës në SHBA si një dështim dhe propozoi një ndalim në të dy vendet për përdorimin e fentanilit në mjekësi, pavarësisht se ka pak prova për kalimin e drogës nga spitalet në tregun ilegal.

Autoritetet amerikane vlerësojnë se pjesa më e madhe e fentanilit të paligjshëm prodhohet në laboratorët klandestinë meksikane duke përdorur kimikate kineze.  Pjesa më e madhe e fentanilit ilegale shtypet nga kartelet meksikane në pilula të falsifikuara të bëra për t’u dukur si medikamente të tjera.

Opioidi është 50 herë më i fuqishëm se heroina dhe madje edhe një dozë e vogël mund të jetë fatale. Ai është bërë shpejt droga më vdekjeprurëse në SHBA, sipas Administratës së Zbatimit të Drogës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA