Në vigjiljen e takimit të shumëdiskutuar të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vucic në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dy anëtarë të Kongresit amerikan i kanë drejtuar një letër kreut të Departamentit të Shtetit, Anthony Blinken.
Duke theksuar rëndësinë që ka procesi i dialogut në arritjen e një marrëveshjeje finale dhe gjithëpërfshirëse mbi normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke e përfshirë edhe njohjen reciproke, Jim Himes e Ritchie Torres i vendosin shenjën e barazisë garantimit të të drejtave të minoritetit serb në Kosovë dhe atij shqiptar në Serbi, duke i përshkruar si një sfidë e cila duhet të marrë zgjidhje.
“Duke pasur parasysh historinë e konfliktit në këtë rajon, dështimi në sigurimin e këtyre të drejtave në mënyrë të ndershme e të qëndrueshme, mund të rrezikojë të gjitha aspektet e tjera të marrëveshjes”, thuhet në letër.
“Nga sa kuptojmë, shkruhet më tej, plani aktual nuk përfshin përmendjen e të drejtave të minoriteteve, apo nevojë për tu siguruar që të merren masa në mënyrë që të tilla të drejta të respektohen. Ju nxisim të insistoni për përfshirjen e kësaj cështjeje në ujdinë përfundimtare”, nënvizohet më tej. Dy kongresmenët kujtojnë se së fundi është raportuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të inkorpotohet ne procesin e dialogut në mënyrë që të garantohen të drejtat e pakicës serbe që jeton në Kosovë.
Ligjvënësit kërkojnë nga Blinken që të mbështesë reciprocitetin dhe një bashkësi të ngjashme për komunitete minoritare shqiptare të cilat jetojnë në jug të Serbisë.
“Ne e përkrahim me forcë dialogun dhe inkurajojmë trajtimin e njëjtë të minoriteteve në të dy vendet”, përfundon letra. Torres është përshkruar si pasues o Eliot Engell ne miqësinë e treguar ndaj shqiptarëve, dhe si mbështetës i kauzës shqiptare në Kongresin amerikan.
Top Channel