Grurë drejt vendeve të varfra, Ukraina dhe Rusia vazhdojnë marrëveshjen

18/03/2023 18:34

Kombet e Bashkuara kanë thënë se Ukraina dhe Rusia janë pajtuar për të vazhduar marrëveshjen për transportin e grurit nga territori ukrainas në shtetet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë.

Megjithatë, as ky institucion, as presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan – që e kanë ndërmjetësuar marrëveshjen, nuk kanë treguar se për sa kohë është vazhduar ajo.

Zëvendëskryeministri ukrainas. Oleksandr Kubrakov, ka thënë se marrëveshja është shtyrë për 120 ditë, sipas kërkesave të Ukrainës, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara.

Rusia nuk ka reaguar ende, ndonëse më herët ka kërkuar një vazhdim të marrëveshjes vetëm për 60 ditë.

Kjo është hera e dytë që vazhdohet marrëveshja, që Ukraina dhe Rusia e kanë nënshkruar në korrik të vitit të kaluar.

Dy shtetet, që janë përfshirë në luftë, janë eksportuese globale të grurit dhe nënprodukteve të tij, dhe shumë shtete të botës varen prej tyre.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritje rekorde të produkteve ushqimore vitin e kaluar, e ndihmuar edhe nga efektet e pandemisë së koronavirusit.

Kriza e shkaktuar besohet se ka përballur 345 milionë njerëz me pasiguri ushqimore, sipas të dhënave të Programit të Kombeve të Bashkuara për Ushqim.

Sipas OKB-së, marrëveshja mes dy vendeve ka ndihmuar në transportimin e 24 milionë tonëve të grurit ukrainas nga portet e këtij shteti. Besohet se 55 për qind e dërgesave janë nisur drejt shteteve në zhvillim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA