
Tronditja që i shkaktoi industrisë globale bankare kolapsi i dy bankave njëra pas tjetrës brenda pak ditësh, dhe reagimi i ashpër i taksapaguesve amerikanë të cilët nuk duan të paguajnë më për mbrojtjen e institucioneve të falimentuara financiare, u pasua nga një apel i fortë presidentit Joe Bidenit drejtuar kongresit amerikan.
Biden u kërkoi ligjvënësve t’u japin enteve rregullatore dritën jeshile që të caktojnë ndëshkime më të ashpra ndaj drejtuesve të bankave të cilat falimentojnë, përfshirë këtu kthimin e parave me të cilat janë paguar për punën e kryer, si dhe të lehtësohet procesi që ata të mos jenë më pjesë e kësaj industrie.
Biden bëri thirrje që Kongresi t’ia japë Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave këto kompetenca, teksa jehona e shembjes së bankës ‘Silicon Valley’ dhe asaj ‘Signature’, vazhdon.
“Forcimi i llogaridhënies është i rëndësishëm për të parandaluar keqmenaxhimin në të ardhmen”, deklaroi ai. “Kongresi duhet të veprojë për të vendosur dënime më të ashpra për drejtuesit e lartë të bankave, keqmenaxhimi i të cilëve kontribuoi në dështimin e institucioneve që ata drejtonin”, shtoi Biden.
Aktualisht Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave mund të marrë mbrapsht vetëm pagesat që u janë bërë drejtuesve në bankat më të mëdha në vend. Pavarësisht ndërhyrjeve të fuqishme qeveritare në të dyja anët e Atlantikut, sektori banker ende nuk është qetësuar. Megjithatë kancelari gjerman, Olaf Scholz nuk beson se Euopës I kanoset ndonjë krizë.
“Nuk shoh rrezik të tillë”, tha shefi i ekzekutivit gjerman. Situata sidoqoftë nuk është qetësuar ende plotësisht, dhe pavarësisht miliardave të ndara për të rregullatorët zviceranë, banka e madhe Credit Suisse sërish u përball të premten me presion në tregjet e aksioneve.
Top Channel