Rama takim me bizneset: Duhet të marrë fund koha e shfrytëzimit të punonjësve

17/03/2023 12:10

Gjatë një takimi të zhvilluar me sipërmarrësit privatë lidhur me rritjen e pagave, kryeministri Edi Rama tha se duhet të marrë fund koha kur sipërmarrjet private shfrytëzojnë punonjësit.

Rama tha se duhet mbyllur faza e shfrytëzimit të punonjësve, në të kundërt sipërmarrjet duhet të marrin parasysh rrezikun e të mbeturit pa forca punëtore.

Një sipërmarrje nuk mund të ngrihet dhe të largohet nga Shqipëria, duke qenë një sipërmarrje shqiptare, duke qenë një sipërmarrje e ndërtuar këtu, një sipërmarrje e ndërtuar për tregun këtu dhe tani dilema është të rrojë apo të vdesë.

Kjo në fakt, nëse shikojmë përmbajtjen e financave dhe të ekonomisë nuk është një dilemë e vështirë, është një dilemë e thjeshtë; të rrojë duke mbështetur punonjësit që dhe ata të rrojnë dhe epoka e shfrytëzimit të punës, të burimeve që punojnë, që prodhojnë punë, që japin punë, që marrin punë duhet të mbyllet.

Ne do të zhvillojmë këtë dialog pikërisht si një proces kundër shfrytëzimit të punonjësve, kundër shfrytëzimit të forcave të punës. Marrëdhëniet kapitaliste në Shqipëri për shumë vite kanë qenë të bazuara tek shfrytëzimi dhe tek fitime të padeklaruara shumë më të mëdha sesa të deklaruara të sipërmarrësve.

Kjo fazë është duke u mbyllur dhe çështja është si do mbyllet dhe zgjedhja që duhet të bëjë sipërmarrja në Shqipëri është si do mbyllet. Do mbyllet duke e përplasur sipërmarrjen përtokë dhe duke e lënë një ditë të bukur pa burime njerëzore apo do mbyllet duke u bërë sipërmarrja e vetëdijshme se duhet të ndërtojë një marrëdhënie të re me forcat e punës dhe një marrëdhënie të re me burimet njerëzore? Janë të gjitha mundësitë për ta bërë këtë”, tha Rama.

Top Channel