Me ndihmën e makinave inteligjente, radarëve automatike, dronëve si dhe dragerave, policia rrugore ka shtuar kontrollet intensive me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Gjatë 72 orëve të fundit, janë pezulluar 232 leje drejtimi, nga të cilat 185 për shpejtësi mbi normat e lejuara në akset kryesore nacionale dhe në qendrat urbane, 34 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 13 për qarkullim në sens të kundërt.
Po gjatë kontrolleve, janë arrestuar në flagrancë 17 drejtues mjetesh, nga të cilët 9 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me gjobë, pa sanksionin e pezullimit të lejes së drejtimit, 2064 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi në qendrat e banuara, 450 drejtues për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 1023 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara dhe 745 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit.
141 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe të shenjave sinjalizuese gjatë natës.
25 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për manovra të gabuara dhe 4 drejtues mjetesh që reklamonin shpejtësi 2-3 herë më shumë se shpejtësia që lejon sinjalistika rrugore, në akse të ndryshme të vendit, janë ndëshkuar me masë maksimale 40 000 lekë të rinj dhe me pezullim të lejes së drejtimit 24 muaj secili.
Policia thotë se duke qenë se përgjatë fundjavës, fluksi i lëvizjeve, kryesisht në drejtim të zonave bregdetare dhe zonave turistike, ka filluar të rritet, Policia Rrugore përmes përdorimit të mjeteve inteligjente, do të intensifikojë kontrollet, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Top Channel