I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka vazhduar me ditën e dytë të vizitës në Kosovë.

Ai takoi Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin e pastaj deklaroi se pret rezultate pozitive nga takimi i të shtunës në Ohër.

‘Mirëpres takime shumë produktive në Ohër bashkë me presidentin serb dhe kryeministrin e Kosovës. Ne kemi për qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësi për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit që të bëhen anëtare të plota të komuniteti euroatlantik.”- tha Gabriel Ecobar, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

E Presidentja Vjosa Osmani u shpreh që Kosova udhëton në Ohër me idenë për të arritur dakordim për marrëdhënie paqeje me Serbinë. 

Escobar takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për të diskutuar me të për përgatitjet dhe pritshmëritë nga takimi.

Të enjten në mbrëmje ai takoi edhe krerët e partive opozitare me të cilët po ashtu diskutoi mbi planin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 18 mars në Ohër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç takohen me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian për të negociuar mbi planin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.

Top Channel