Ligji i ri “Për bletarinë”, Krifca: Mbështetje bletarëve për regjistrimin, certifikimin dhe daljen në treg

16/03/2023 21:25

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, prezantoi në séancën plenare të Kuvendit, projektligjin e ri “Për Bletarinë”.

“Sjellim sot për miratim një projekt ligj shumë të rëndësishëm dhe të kërkuar prej kohësh nga mbrojtesit e bletës dhe prodhuesit e mjaltit në vendin tonë por në fakt edhe nga konsumatorët dhe nga vetë koha”, u shpreh ministrja.

Krifca tha se, projektligji është ndërtuar në bashkepunim të plotë me të gjithë shoqatat e bletarëve dhe i përgjigjet problematikave të tyre në përputhje me praktikat më të mira të BE.

“Me anë të këtij projekt ligji trajtojme rolin e veçantë të bletarisë në mjedis, bujqësi, ekonomi dhe krijimin e të ardhurave.Bletaria është sektor i rëndësishëm i bujqësisë së vendit që shërben si burim prodhimesh natyrale me vlerë të lartë ushqimore dhe mjekësore”, theksoi ministrja.

Ministrja u ndal në mbështetjen adresur këtij sektori.

Bletaria në vendin tone ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm vitet e fundit. Sot numërohen rreth 400 000 zgjoje bletësh në vend. Gjate 10 viteve te fundit numri i zgjojeve të bletëve është rritur me 70%, duke rritur ndjeshem dhe nivelin e prodhimit. “Ne kemi qenë në krah të këtij komuniteti prodhuesish të mjaltit gjatë të gjithë kohës dhe këtë e vërtetojnë shifrat. Në skemën kombëtare ne kemi rritur me 10 herë numrin e fermerëve të mbështetur krahasuar me vitin 2013. Po kështu kemi rritur me 15 herë fondin e dedikuar për bletarinë gjatë të njëjtës periudhë 2013-2022”, u shpreh ministrja, teksa vuri në dukje se, vetëm në vitin 2022 janë mbështetur rreth 2,681 bletarë në të gjithë vendin.

Sipas saj, synimi është rritja e konkurrueshmërisë së produkteve të tyre.

“Pavarësisht dinamizmit dhe rëndësisë, sektori deri më sot nuk kishte një ligj që të rregullojë në mënyrë të plotë dhe shteruese të gjithë problemet e bletarisë në lidhje me marrëdhëniet me shërbimin veterinar dhe pushtetin vendor, territorin, shtegëtimet e kontrolluara dhe sigurinë e produkteve të bletës. Me anë të tij promovojmë bletarinë cilësore, instrumentat e skemave të cilësisë, emërtimet e origjinës, treguesit gjeografik, specialitetet tradicionale të garantuara dhe standardet e etiketimit duke i rritur kështu vlerën tregtare të produktit”, tha Krifca.

Gjithashtu vuri në dukje ministrja, pr.ligji parashikon për bletërritësit regjistrimin e detyrueshëm, kushtet për rritjen, transportin, cilësinë e produkteve, masa të cilat do të rrisin besimin e konsumatorit në produktin final.

“Ne integrojmë për herë të parë me këtë projektligj bashkëveprimin midis ministrisë së bujqësisë dhe njësive të vetëqeverisjes vendore me aktorët e sektorit të bletarisë për hartimin e programeve tre vjeçare të zhvillimit të bletarisë. Këto programe do të synojnë promovimin dhe mbrojtjen e produkteve shqiptare të bletëve, zgjerimin e produkteve me emërtim origjine duke ecur akoma më shumë në shembullin pozitiv të Mjaltit të Bedunicës në Përmet që tashmë është regjistruar si specialitet tradicional i garantuar STG.

Ministrja krifca u shpreh se perms këtij pr.ligji, synojmë të rrisim formalizimin e sektorit dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit të gjurmueshmërisë të produkteve të bletës si edhe marrëdhëniet e këtij sektori me sektorët e tjerë të bujqësisë.

Ministrja ftoi deputet të votojnë për miratimin e këtij pr.ligji, ndërsa falenderoi Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Tregtise dhe Mjedisit dhe Komisionin e Integrimit për bashkëpunimin konstruktiv në hartimin e  pr.ligjit dhe duke e votuar ne menyrë unanime projektligjin për Bletarinë, në të mirën e bujqësisë që bashkon.

Top Channel