Mes mohimeve të Moskës se nuk e ka sulmuar dronin amerikan të rrëzuar mbi Detin e Zi, Shtetet e Bashkuara publikuan videon që tregon momentin kur një avion rus lëshon në fluturim karburant mbi mjetin mbikëqyrës pa pilot të Forcave Ajrore të SHBA-së.

Pentagoni pretendon se ky veprim dëmtoi një teh të dronit duke prerë helikën e tij. Videoja e shkurtër tregon një Su-27 rus që i afrohet pjesës së pasme të dronit amerikan MQ-9 dhe fillon të lëshojë karburant, ndërsa sipas palës amerikane “hedhja e karburantit dukej se kishte për qëllim të verbonte instrumentet optike të dronit dhe ta dëbonte atë nga zona”. Fragmenti i videos i publikuar nga Pentagoni nuk tregon ngjarjet para ose pas konfrontimit.


Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe shefi i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Mark Milley zhvilluan një bisedë me homologët e tyre rusë lidhur me shkatërrimin e dronit amerikan pas përplasjes. Telefonatat me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit të përgjithshëm rus, gjeneralin Valery Gerasimov ishin të parat që nga tetori i vitit 2022.

Edhe pse përpjekjet për të përgjuar lëvizjet e njëri-tjetrit nuk janë të rralla, incidenti i ndodhur në mesin e luftës në Ukrainë ngjalli shqetësimin se mund t’i çonte SHBA-në dhe Rusinë më pranë një konflikti të drejtpërdrejtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA