Balluku në Kuvend: Aeroporti i Mynihut vendosi marrjen përsipër të operacioneve të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës

16/03/2023 19:01

Zv. kryeministrja Belinda Balluku gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se bordi drejtues i aeroportit të Mynihut ka vendosur të marrë përsipër operacionet e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës.

Me këtë vendim, sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Shqipëria futet në një hartë ekskelence të operimeve të aviacionit civil.

Balluku: Gjej rastin të them se dje bordi drejtues i aeroportit të Mynihut ka vendosur të marrë përsipër operacionet e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Duke e futur Shqipërinë në një hartë ekskelence të operimeve të aviacionit civil. Ky është një lajm i shkëlqyer pasi punimet në infrastrukturën e aeroportit të Vlorës janë duke ecur me ritme të shpejta, ka përfunduar thuajse trupi i një piste 3.2 km e cila do të jetë pista më e gjatë në Ballkan duke akomoduar fluturimet trans oqeanike.

Në lidhje me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për delegimin e shërbimeve të trafikut ajror në një pjesë të hapësirës ajrore mbi liqenin e Ohrit”, Balluku theksoi se lehtëson operimet mes vendeve kufitare.

Balluku: Marrëveshja mes Këshillit të ministrave të delegimit të trafikut ajror lehtëson operimet mes vendeve kufitare, pasi janë kryer të gjitha veprimtaritë për sa i përket sigurisë ajrore, pasi ka pasur negocim të gjatë palët kanë negociuar [për të lejuar përdorimin e hapësirës ajrore mbi liqenin e Ohrit. Shqipëria si një lider rajonal në fushën e zhvillimit të aviacionit civil ka kënaqësinë që të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në kryerjen e operacioneve të aviacionit.

Aviacioni civil në Shqipëri prej vitesh ka një zhvillim të jashtëzakonshëm duke nisur nga aeroporti i Tiranës, ka arritur të ketë një terminal të ri, edhe Tirana ka marrë përsipër shtimin e pistës, pa harruar Kukësin i cili do të kthehet në operacional, gjatë verës në vitin e ardhshëm në aeroportin e Tiranës synojmë të kemi 6.4 mln pasagjerë.

Top Channel