Inside Story ka takuar njerëz që njohin nga afër historinë, ka kërkuar informacione në institucionet shqiptare dhe ato keniane, ka konsultuar dokumente zyrtare dhe informacione kofidenciale.

I vetmi fakt i sigurt në këtë histori është se Joyce ka pësuar shumë trauma, ka lënguar derisa humbi jetën ndërsa drejtësia shqiptare vijon ende të ngrejë duart lart.

Problemet për Xhoin nisën dhjetë ditë para ngjarjes kur ajo vendosi të ndërronte edhe rezidencën e banimit. Më herët vajza jetonte në lagjjen “Ali Demi”. Në momentin e incidentit të 13 gushtit ajo gjendej në Flauer Residence.

Pas disa hezitimeve, Inside Story komunikoi me nënën e Joyce për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen përmes informacioneve që Znj Ruth Abongo disponon. Ajo tregohet e rezervuar lidhur me informaiconet konfidenciale, por shpreh me bindje pistat dhe njerëzit që i duken të dyshimtë në gjithë këtë histori.

“Nuk do të qaj çdo ditë. Lotët do të mbarojnë shpejt. Unë do të kërkoj drejtësi derisa të jem gjallë. Edhe pse policia nuk e do të vërtetën, ajo është tek telefoni I Joyt. Ata e kanë përgjigjen deri para orës 4 pasdite të datës 14 gusht 2022. Xhoi kishte vetëm një telefon” u shpreh Ruth Abongo, mamaja e Xhoit.

Gjatë intervistës për Inside Story, në një moment zonja Ruth Abongo dyshon nëse rrëfimi i saj është i përshtatshëm për tu bërë publik, por ajo ka një qëllim: drejtësinë për të bijën. Sot, prokuroria po e heton ngjarjen në dy drejtime: si vetëvrasje por edhe si vrasje.

Nëna e saj shprehet e bindur në këtë të dytën. Këtu, situata komplikohet. Dyshimet janë mes disa pistave të ndryshme. Krim pasioni, vrasje për të mbuluar një abuzim seksual nga njerëz me pushtet, apo probleme në punën si krupiere.

“Ekziston pista e vetvrasjes, por nuk është e mbështetur në fakte” u shpreh gazetarja Anila Hoxha.

“Duhen ngritur disa pista dhe mungesa e informacioneve i rrëzon vetë një e nga një. Është e gabuar të ngresh vetëm një pistë” u shpreh Artan Rexhepi, ekspert i kriminalistikës.

“Jo nuk është vetëvrarë. Nëse shikohet pozicioni kur është gjetur nga fotot e policisë duket që nuk është vetëvrarë. Ky burrë vijon të ecë i lirë dhe ka vrarë vajzën time, Nëse policia do, ata mund ta gjejnë. Pse nuk akuzohet dikush tjetër” u shpreh Ruth Abongo, mamaja e Xhoit.

Top Channel