Dy kuajt e vjedhur dhe kalëruesi adoleshent vdesin të goditur nga makina në Texas (fotot)

15/03/2023 18:12

Një adoleshent ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur kur një makinë goditi grupin e të rinjve teksa kalëronin disa kuaj të vjedhur në Texas, SHBA.

Mëngjesin e të martës autoritetet raportonin se tre adoleshentë vodhën kuajt e racës së garave nga një fermë në Dallas, Texas.

Treshja u largua duke kalëruar kafshët e vjedhura, para se të goditeshin nga një makinë pranë pyllit Great Trinity rreth orës 5.30 të mëngjesit.

Asnjë nga të dyshuarit nuk janë emëruar nga autoritetet, të cilat thanë vetëm se një djalë 14-vjeçar mbeti vdekur në vend.

Dy të tjerët, një 16-vjecar e një 17-vjeçar u shtruan në spital, tha policia e Dallas, duke shtuar se drejtuesi automjetit nuk pritet të marrë akuza kriminale.

Kuajt ishin vjedhur nga impjanti i garimit Memory Lane Stable në Dallas, tha rrjeti vendas WFAA ndërsa pronarja Lorenza Gooch, tha se incidenti e kishte lënë “zemërthyer e të shtangur”.

Gooch kishte dëgjuar për ngjarjen në lajme. “Kur ata shfaqën kalin që po ngarkohej në kamion, e pashë që ishte i imi”, tha ajo.

Një nga kuajt e vjedhur vdiq menjëherë gjatë përplasjes, ndërsa një tjetër iu injektua mjeti i eutanazisë nga veterineri në vendngjarje, prej plagëve të rënda.

Një kalë i tretë garimi i quajtur Logo Winner, i mbijetoi aksidentit por pësoi plagë.

Gooch tha se vjedhësit kishin sjellë shalat e tyre për marrjen e kuajve, por kuajt ishin stërvitur për tërheqje karrocash në gara dhe nuk ishin kalëruar para asaj nate.

Policia tha se hetimet vazhdojnë.

FOTO GALERI
1/7
Kafshet e ngordhura pas goditjes nga makina ne autostrade

Top Channel