Skandal në Fiks Fare/ Tregu i zi i armëve, Fiksi blen 1 milion lekë kallashnikovin në mes të Durrësit

14/03/2023 20:40

Emisioni Fiks Fare solli sonte një investigim mbi shitjen e armëve në treg të zi në vendin tonë.

Fiks Fare tregoi me video e audio se sa e lehtë është të blesh të gjitha llojet e armëve pa patur asnjë leje nga policia për përdorimin dhe shitjen e tyre.

Gazetarët e Fiksit kanë mundur të bëjnë pazare për blerje pistoletash dhe automatikësh, madje kanë arritur dhe të blejnë automatik kallashnikov. Pazaret dhe blerjen bëhen në mes të ditës në një nga qytetet më të mëdha të vendit, siç është qyteti i Durrësit.

Arma e zjarrit bashkë me fishekë  iu shit gazetarëve të Fiksit kundrejt 1 milionë lekëve të vjetra. Madje shitësi u premton se mund t’u sgurojë fare lehtë edhe pistoletë, në varësi të kërkesës.

Bisedat e para mes shitësit dhe bashkëpunëtores së Fiksit bëhen në një lokal, ku thuhet se pistoleta kushton 1 milionë e gjysmë lekë.

Dhe vetëm 2 ditë më vonë bashkëpunëtorja e Fiksit bën pazare për të blerë një automatik tek i njëjti person, këtë herë kundrejt 1 milionë lekëve.

Shitësi i prezantuar si Marin Prenga, i siguron bashkëpunëtores se arma është në gjendje shumë të mirë, dhe se më parë ka shitur edhe dinamit, por tani ka frikë.

Shitësi i armës e mori bashkëpunëtoren e Fiksit deri në vendin ku e mbante armën që ishte një hambarë bari. Aty edhe i tregon karikatorin me fishekë dhe e risiguron se arma është e rregullt.

Menjëherë gazetarët e Fiksit e dorëzuan armën në Komisariatin e Policisë Durrës kundrejt të gjitha procedurave ligjore.

Dhe pas këtij momenti forcat operacionale të komisariatit në bashkëpunim me gazetarët e Fiksi lokalizuan dhe kapën shtetasin Maren Presku i prezantuar për bashkëpunëtorët e Fiksit me emër tjetër.

Takimi i parë me shitësin e armëve

Fiksi: Ju mirë kaloni?

Shitësi: Mirë kalojmë, shtyjmë.  Muhabetin ta kam thënë unë ty, kjo e don (pistoletën) për një mjek

Fiksi: Infermier jo mjek

Shitësi: Infermier

Shoku i shitësit : Nuk më intereson më gjatë

Fiksi: Ai e do për hall sepse në Kashar ka hapur një blegtori, s’di si ta shpjegoj. Edhe i kanë vjedhur nja dy gjëra me thënë të drejtën.

Shoku i shitësit: Është problem ajo punë nuk është siç ka qenë më përpara,

Fiksi: Unë prandaj i tha Marinit se e njoh,

Shitësi: Kam pas shit shpesh kapsolla dinamiti,

Fiksi: Ku e gjeje dinamitin ti?

Shitësi: Tash nuk ka ma, nuk du me ra në burg, nuk kam më moshë. Pashah kryt e kalamajve me nejt 40 vjet shok edhe gru edhe dashnore me mua, unë me të besu nuk të besoj njëherë, erdhi koha.

Fiksi: Sa ? Më thuaj çmimet dhe të vijë tjetri të bëjë muhabet me ty,

Shitësi: Do bëhet sa më shpejt por edhe ashtu shpejt nuk bëhen gjërat, tani ka probleme për atë sen (pistoletë) ajo.

Fiksi: Tani sa shkon që të përgatitet?

Shitësi: Kanë shku shtrenjtë, janë tu shku shtrenjt, shkon  e gjysmë ajo (1 milion e gjysëm lekë)

Fiksi: 1 e gjysmë, po mirë shumë mirë, që t’ja them. Do t’i them unë atij të vijë të bësh muhabet vetë.

Shitësi: Jo, s’dua hiç, s’dua hiç fare që të vijë të bëjë muhabet. Kur të vijë me marrë mallin, vjen shef mallin merr mallin, i pëlqen nuk i pëlqen.

Takimi ku blihet dhe arma automatik, kallashnikov

Fiksi: Marin, lekët i kam unë.  Ai është rreth 1 km aty te rrethrrotullimi ku është ajo, ai marketi .

Shitësi: Po unë ta fus këtu, në makinë këtu tak

Fiksi: Po mirë, po hajde tani se nuk bëhenj muhabetet në këmbë.

Shitësi: Hajde shkojmë e futna atje

Fiksi: Hajde hip në makinë.  Muhabeti është që të mos fëlliqem edhe unë, është e saktë ajo?

Shitësi: Për kryt e kalamajve ee

Fiksi: Se vjen më  merr mua…

Shitësi: Jam 55 vjeç burrë  unë,  për kry të fëmijëve akull e re.  Këtu këtu, kësaj rrugice këtu në krahë të majtë.  Kaloi këto makina. Ore unë kam një fjalë nuk e lëvizi,

Fiksi:  Po ku të vij unë tani? Do vijmë në këmbë ne ?

Shitësi: Ja moj këtu te barakja, këtu brenda te bari.

Fiksi: Do vij unë pas teje, të siguroi makinën 1 minutë.

Shitësi: Me mua je.

Fiksi: O Marin

Shitësi: Hajde këtu.

Fiksi: Hape njëherë ore.  Është er pastër?

Shitësi: Oo, oo, po po rri pa fije maraku, tash ti ke me më thënë Marin, shumë faleminderit prej teje.

Fiksi: Tani a ka ndonjë gjë që vihet këtu brenda? Ça është ajo?

Shitësi: Mbaje këtë (karikatoren) . Ja ku është dhe karikatorja

Fiksi: Paska dhe fishekë ë?

Shitësi: Plot me fishekë.

Fiksi: Nuk e provon dot?

Shitësi: Ee ku je në ’97-ën ti? Shko e provoje natën atje.  Ti ke me më marrë prapë në telefon sonte, Marin çdo gjë në rregull

DFiksi: Po se ai do ta provojë atje ku të gjejë hapësirë

Shitësi: Po, po

Fiksi: Atëherë këtu janë 1 milionë

Shitësi: Shumë bukur

Fiksi: Prit ti numëroi  1,2,3,4,5,6,7, 8,9,10 . 1 2 3 4 5 6 7 8 9 20 20 herë 5 bëjnë 1 milionë.

Shitësi: Bukur, po

Fiksi: Hajt ma sill ti deri te makina.  I ka (fishekët), sa kishim këtu brenda?

Shitësi: 30.

Fiksi 30.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel