Kumbulla i padëshiruar te Roma. Një karton i kuq i marrë për një reagim antisportiv, mund të ketë qenë edhe gjesti që ka vulosur të ardhmen mbrojtësit kuqezi.
Futbollisti i Kombëtares Shqiptare kishte humbur prej kohës besimin e Jose Mourinhos, megjithatë dha sinjale rikthimi të enjten e kaluar.
Ndaj Real Sociedadit erdhi nga stoli, mbrojti në mënyrë perfekte dhe shënoi gol, duke treguar anën e tij më të mirë.
Duket se me këtë ndeshje, në Romë janë të bindur t’i hapin udhë largimit të mbrojtësit në fund të sezonit. Ofertat për të nuk mungojnë nga klube të tjera të Serisë A.
Torino e Juric është ajo që e kërkoi edhe verën e kaluar, por mund ta marrë në huazim me të drejtë blerjeje verën e ardhshme. Trajneri kroat është ai që promovoi Kumbullën në Serinë A, kur të dy ishin pjesë e Veronës.
Roma shpenzoi më shumë se 30 milionë euro për të marrë mbrojtësin nga Verona, por veçanërisht këtë sezon performanca e tij ka qenë larg pritshmërive.
Mbrojtësi jo vetëm që nuk ka ofruar siguri, por edhe ka bërë gafa të pafalshme. Një nga ato ishte ajo ndaj Cremoneses, që i kushtoi Romës eliminimin nga Kupa e Italisë, por edhe ndaj Sassuolos.
Top Channel