Policia e Tiranës ka zgjeruar rrethin e personave  që mund të kenë konflikte që si pasojë e të cilave ndodhi sulmi me armë mbrëmjen e së dielës në lokalin e familjes Murati.

Hetuesit po verifikojnë aktivitetin e vëllezërve të Fation Muratit i cili që prej 12 marsit është shpallur në kërkim pasi ka thyer masën e sigurisë arrest shtëpie.

Vetë familjarët shprehen se kjo nuk është një arratisje por ai është larguar për tu kuruar por ky version nuk besohet nga autoritetet. Dyshimet kryesore janë se ngjarja është hakmarrje për disa vrasje të kryera vitet e fundit dhe kryesisht për atë të mbikalimit të Fushkrujës, ku në skenë doli emri i Fatjon Muratit si person që ka dijeni.

Të vetmet prova që grupi hetimor ka në dorë për zbardhjen e atentatit ne lokalin e familjes Murati ku humbi jetën Mimoza Paja  janë kamerat e sigurisë në zonën e krimit si dhe makina dhe armët e lëna pas nga autorët. Provat po ekzaminohen në laboratorin shkencor  për të përfituar të dhënat që  mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Policia po merr në pyetje edhe të afërmit e Fatjon Muratit dhe kliente të lokalit që ishin dëshmitarë në krim por asnjeri prej tyre nuk ka mundur të shquajë autorët të cilët ishin të maskuar.

Janë pamjet e rreth 30 kamera që po vëzhgohen nga grupi hetimor të cilat janë sekuestruar në Don Bosko, në autostradë si edhe në Vorë që kanë treguar itenerarin e autorëve. Ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar vetëm pamjet e kamerave të lokalit pasi kamerat e rrugës ishin çmontuar pas operacionit “fijet”.

Top Channel